Gjithçka ndodhi në finalen e Kupës së Botës 2018

Mes fishekzjarreve shumëngjyrëshe dhe trofeut në dorën e kombëtares franceze është mbyllur turneu i 21-të i Kupës së Botës. Një Francë e shfrenuar ajo e cila u paraqit në "Luzhniki Stadium" ku fitoi titullin e dytë të Kupës së Botës, pas një fitore 4-2 kundër Kroacisë në finalen e madhe. Ishte "Les Blues", i cili kaloi në avantazh shumë shpejt, kur krosimi i Antoine Griezmanit në minutën e 18-të nga goditja e lirë u devijua me kokë nga Mario Mandzukic, duke tundur rrjetën e Subasic dhe kaluar në delir francezët. Dhjetë minuta më vonë, Kroacia vendosi ekuilibrat, me Ivan Perisic që u tregua i saktë në hyrje të zonës. Por medalja ka dy anë dhe Perisic ishte ai që e hodhi në zbatim këtë gjë. Ylli i Interit preku me dorë një top në zonën e tij, me sistemin "VAR" që u tregua i pamëshirshëm, duke i dhënë të drejtë Pitarkës të akordoj një 11 metërsh. Nga pika e bardhë, Antoine Griezmann u tregua i ftohtë, duke dërguar shokët e skuadrës dhomave të zhveshjeve në epërsinë 2-1 drejt. Rikthimi në fushë pa një Kroaci më kërkuese, por aksionet e të besuarve të Zlatko Dalic nuk arritën t'i konkretizonin në gol. Një gjë që nuk e bëri Franca, me Kylian Mbappe e Paul Pogba që dërguan në 4-1 rezultatin e kësaj finaleje. Por goleada nuk kishte përfunduar këtu. Hugo Lloris mendoi t'i kthej "bujarinë" sulmuesit të Juventusit, Mario Mandzukic, me këtë të fundit që përfitoi nga një gabim i gardianit francez dhe me portën e boshatisur hapi llogaritë. Me minutat e mbetura që nuk sollën asnjë ndryshim rezultati, ëndrra kroate merr fund vetëm në çastet e fundit të këtij turneu. Në krahun tjetër Franca arrin të shkruaj emrin e saj me gërma të arta për herë të dytë në historinë e Kupës së Botës, triumf që vjen pas 20 vitesh mungesë.