Foto/Tirana ndal hovin e Skënderbeut

Skënderbeu nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Tiranës, në takimin e javës së 5-të të Kategorisë Superiore. Korçarët shmangën humbjen përballë kryeqytetasve të cilët ishin duke udhëhequr deri në momentin që Oto John e depozitoi sferën në rrjetë. Në stadiumin "Skënderbeu" takimi nisi i qetë, me dy skuadrat që tentuan golin me goditje nga distanca. Të parët që tentuan kuadratin ishin vendasit, me Muzakën që bëri gjithçka mirë në krah, ndërsa goditja e tij u prit pa probleme nga Lika. Megjithatë goli do të vinte në aksionin e parë të Tiranës, me Edon Hasani që zhbllokon rezultatin, pas një krosimi nga e djatha. Mesfushori gjuan bukur me kokë duke kaluar në avantazh bardheblutë. Kalimi në avantazh rriti sulmet në portën e Tiranës, me korçarët që e kthyen portën e Likës në një tabelë çitjeje, por fati dhe instiktet e portierit 38 vjeçar mbajtën në fuqi rezultatin 1-0, shifrat të cilat i ndryshoi afrikani Oto John 5 minuta përpara fundit. Nigeriani shndërroi në gol një krosim nga këndi, duke tundur rrjetën e Likës dhe duke vendosur kështu barazpeshën. Pas këtij barazimi Skënderbeu mban vendin e parë me 11 pikë, një pikë më shumë se Partizani i vendit të dytë. Ndërkohë që me këtë barazim Tirana ngjitet në vendin e 7-të në kuotën e 5 pikëve.