Foto/ Tirana ndal Skënderbeun

Skënderbeu nuk ka përfituar nga hapi fals i Partizanit, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Tiranës. Pavarësisht se ishin korçarët ata që kaluan të parët në avantazh, bardheblutë reaguan, duke u larguar nga "Selman Stërmasi" me një pikë. Rastet e pastra për gol nuk munguan, por duhej të vinte minuta e 35-të që të zhbllokohej takimi. Ishte Bruno Dita që shfrytëzoi një krosim të Radas nga goditja e dënimit dhe i pamarkuar tundi rrjetën. Vetëm 10 minuta zgjati festa e kampionëve, që u barazuan në limitet e pjesës së parë. Greca bëri gjithçka mirë në zonën e kundërshtarëve dhe pranë fundores shërben për Santamu në qendër, që me portën e boshatisur e kishte të lehta ta shfrynte drejt rrjetës. Në fraksionin e dytë skuadrat tentuan të gjenin golin e fitores, por që nuk ia arritën qëllimit. Pas kësaj pike Skënderbeu mbetet pas shpatullave të Partizanit kryesues me 31 pikë, teksa numëron 1 pikë më pak se "demat" pas 14 javë kampionat. Ndërkohë Tirana merr pikën e tretë me Ardian Memën në stol, i cili pas 6 javësh nuk e ka shijuar ende shijen e fitores në pankinën bardheblu. / Foto LSA. Malton Dibra