Festa me shqiponjë në ndeshjen kundër Serbisë

Pavarësisht mungesës së kombëtares shqiptare, golat kuqezi nuk mungojnë në Kupën e Botës Rusi 2018. Një dopietë shqiptare i ka dhënë fitoren Zvicrës në një duel drithërues përballë Serbisë. Perla e Granit Xhakës dhe goli mjaft i bukur i Xherdan Shaqirit zhvlerësuan rrjetën e Mitrovic, i cili realizoi që në minutën e 5-të. Serbët kaluan shumë shpejtë në avantazh, ku pas vetëm 5 minutash Mitrovic u tregua i saktë me kokë, duke tundur rrjetën e Sammer. Përpjekjet zvicerane ishin të rralla në pjesën e parë, por kërcënuan dy herë përmes Blerim Dzemailit, i cili nuk arriti të gjej rrjetën. Serbia vazhdoi të vendoste diktatin e saj mbi kundërshtarin dhe Nemanja Matic mund të dyfishonte, por ai nuk ia doli të shmang dhe pengesën e fundit në mbrojtjen zviceriane. Me nisjen e së dytës, helvetët ishin më kërkues dhe rastet e njëpasnjëshme të tyre u konkretizuan nga Granit Xhaka. Një inkursion nga e djathta e Shaqirit nxori të lirë Xhakën, që duke përfituar nga një top i kthyer në këmbët e tij nga mbrojtja serbe, lëshoi një silurë të vërtetë drejt portës së Stojkovic që nuk kishte çfarë të bënte vetëm të shikonte sferën të tundte rrjetën. Zvicra pothuajse u hodh përpara, me Xherdan Shaqiri që goditi dhe traversës duke drithëruar portën serbe. Sulmet e Zvicrës u konkretizuan vetën në fundin e lojës, me Shaqiri që mori një top të bukur nga Gavranovic dhe në trysninë e një mbrojtësi, e kishte të lehtë të shmangte Stojkovic dhe të drejtohej drejt tifozëve të Zvicrës duke festuar me shqiponjë. Me këtë fitore Zvicra ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 4 pikëve duke marrë një bonus të madh për të vijuar më tej. Në sfidën e ardhshme, Zvicra do të përballet me Kosta Rikën, ndërsa Serbia do të mas forcat me Brazilin.