Eliminimi i Spanjës nga Kupa e Botës përmes fotove

Nuk kanë të ndalur suprizat në Kupën e Botës, Rusi 2018. Pas eliminimit shokues të Gjermanisë, Argjentinës dhe Portugalisë, radhës për të bërë gati valixhet e kishte Spanja, me kombëtaren e "La Roja" që dështuar për të kaluar në fazën tjetër të kompeticionit përballë vendasve të Rusisë. Në "Luzhniki Stadium" erdhën në ndihmë penalltitë për të vendosur skuadrën e 3-të çerekfinaliste, me kohën e rregullt që u mbyll me rezultat të barabartë 1-1. Në fakt të dy golat mbajnë firmën e rusëve, me Ignashevic që u tregua i paqartë në ndërhyrjen e tij, duke e dërguar sferën në portën e tij dhe duke prishur kështu ekuilibrat pas 12 minutash lojë. Por 5 minuta nga fundi i fraksionit të parë, Dzyuba u tregua i saktë nga 11 metërshi, duke vendosur baraspeshën. Me pjesën e dytë dhe 30 minutat e kohësh shtesë që nuk sollën asnjë ndryshim rezultati, dy skuadrat iu drejtuan "ruletës ruse" me këtë të fundit që i buzëqeshi "shpikësve". Portieri i Rusisë, Igor Akinfeev ishte dhe heroi i të besuarve të Stanislav Cherchesov, duke pritur dy nga 5 goditjet e spanjollëve. Fillimisht ndali Koke ndërsa më pas hipnotizoi dhe goditjen decizive të Aspas. Nga krahu tjetër Smolov, Ignashevich, Golovin dhe Cheryshev u treguan të saktë duke prerë një biletë për në çerekfinalen e kompeticionit, çka është dhe hera e parë që rusët shkojnë në këtë raund.