“Digjet” Selaniku, anarkistët përplasen me policinë

Në qendër të Athinës janë shënuar në orët e vona të mbrëmjes përleshje midis anarkistëve dhe forcave të policisë. Incidentet filluan pak para përfundimit të manifestimit të protestës, në 9 vjetorin e vrasjes nga një patrullë policie të adoleshentit Aleksandros Grigoropulos. Incidentet filluan kur një pjesë e protestuesve mbërritën në vendon ku më 6 dhjetor 2008 u vra Grigoropulos. Anarkistët me skafandra dhe fytyrat të mbuluara me maska, hodhën bomba molotov, fishekzjarre dhe gurë kundër forcave të policisë. Ata u vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave dhe ngritën barrikada në disa prej rrugëve të zonës Eksarhia. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese. Incidente pati edhe gjatë mesditës, kur anarkstët thyen vitrina bankash dhe dyqanesh, si dhe semaforë, nën vështrimin e forcave policore që nuk ndërhynë. Incidente më të kufizuara ka patur në mjaft qytete të Greqisë. Në Selanik, për gati një orë, anarkistët ishin ngujuar në mjediset e universitetit Aristoteli. Ata hodhën bomba molotov, bombola gazi dhe gurë kundër policisë, që u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese. Pas orës 21,30 situata në Selanik u normalizua.