Belgjika pozicionohet e treta në Rusi 2018

Nga një gol për çdo pjesë i ka mjaftuar Belgjikës për të marrë fitoren e dytë kundër Anglisë dhe vendin e tretë në Kupën e Botës, Rusi 2018. Në "Shën Petersburg", në praninë e 64 mijë e 406 tifozave të pranishëm, Belgjika tregoi dhe njëherë se eliminimi nga Franca në gjysmëfinale ishte një rastësi, pasi dominoi në të gjitha aspektet ndaj të besuarve të Gareth Southgate. Belgjika mori kryesimin me Thomas Meunier pas vetëm katër minuta ndërkohë që fitoren e vulosi Eden Hazard tetë minuta nga fundi i kohës së rregullt, kur dyfishoi avantazhin dhe i dha të drejtë shokëve të skuadrës të largoheshin me medaljen e bronztë nga ky turne.