Aksident fatal në Shkodër, Fordi përplas për vdekje 66 vjeçarin

Një aksident i rëndë rrugor u shënua mbrëmjen e së premtes në segmentin rrugor Shkodër - Koplik, në vendin e quajtur "Ura e Vrakës". Automjeti me targa Italiane, drejtuar nga 35 vjeçari Emiljano Zeneli banues në Malësi të Madhe, përplasi për vdekje 66 vjeçarin Xheladin Ivziku nga Shtoji i ri. Ky i fundit ka qënë duke ecur me biçiklete në drejtim të fshatit të tij kur si pasojë e shpejtësisë në lëvizje, është përplasur nga mjeti tip Ford dhe nga goditja e marre, ka gjetur vdekjen në vend, duke mos arritur të dërgohet i gjallë në spital. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupi ekspertizës, të cilat nisën punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti. Nga këqyrja e bërë në terren, konstatohen gjurmët e lënë nga shenja e frenimit, ç'ka tregon se mjeti ka qenë duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara dhe pasi ka parë biçikletën, drejtuesi Zeneli ka tentuar të frenojë, por e ka patur të pamundur të shmangë goditjen. 66 vjeçari si pasojë e përplasjes ka marrë goditje të forta në kokë, ç'ka edhe i kanë shkaktuar vdekjen thonë burime paraprake të policisë. Trupi i pajetë u dërgua në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës, ndërsa i riu Zeneli që mësohet se është emigrant i kthyer për pushime në atdhe, u shoqërua në mjediset e komisariatit deri në sqarimin e plotë të rrethanave.