"Shqipëria pa filtra"/Rastet e suksesit të BOOM gjatë 2018, u ndërtuan shtëpi

Çdo të premte në emisionin "BOOM" në Rtv Ora News vjen rubrika "Shqipëria pa filtra", një rubrikë që sjell Shqipërinë ndryshe, na sjell me këmbë në tokë për të parë realitetin në sy.

Janë me qindra familjet e varfra në Shqipëri, janë me qindra kryefamiljarët që nuk u sigurojnë dot bukën e gojës familjarëve të tyre.

"BOOM" ka sjellë me dhjetra raste gjatë vitit që lamë pas dhe do të vijojë ta bëjë edhe përgjatë 2019.

Kur jemi tek bilancet e vitit 2018, emisioni "BOOM" në Rtv Ora News ka arritur t'u ndryshojë jetën shumë familjeve shqiptare që ndodheshin edhe në qiell të hapur pa një strehë.

Por misioni i "BOOM" do të ishte i pamundur pa kontributin e shqiptarëve zemergjerë, ku falë donacioneve të tyre është mundësuar ndërtimi i disa shtëpive, punësimi i disa kryefamiljarëve, është mundësuar shkollimi për disa fëmijë në pamundësi ekonomike për tu arsimuar.

Gazetarja Alketa Çeku sjell një përmbledhje të shkurtër të disa prej rasteve të suksesit në "BOOM" gjatë vitit që lamë pas.

1- Familja e Besnik Sharkës nga Ballagati i Lushnjes, të cilës iu ndërtua shtëpia nga Ilir Trebicka, por u dhanë dhe ndihma në ushqime.

2- Familja Çepele prej 8 anëtarësh në Kallm të Fierit. Pas sensibilizimit që emisioni "BOOM" i bëri këtij rasti, Shoqata Diaspora në bashkëpunim me biznesin kosovar mundësoi ndërtimin e shtëpisë. Po ashtu u mundësua dhe punësimi i tyre.

3- Rasti i Marjol Doksanit, djalit 23 vjeçar që jetonte me nënën e tij që vuante nga probleme të shëndetit mendor në kushte tepër të vështira. Falë dashamirësisë së qytetarëve dhe bashkisë së Roskovecit jeta e Marjolit dhe nënës së tij ka ndryshuar. Bashkia e Roskovecit akordoi një fond për ndërtimin e shtëpisë së Marjolit dhe nënës së tij Mimikës. Po kështu kryetarja e Bashkise mundësoi punësimin e Marjolit pranë vendit ku jeton.

4-Madalena dhe Juliani, vëlla e motër adoleshtentë në Fier që e kishin  të pamundur të vazhdonin shkollën e mesme për shkak të pamundësisë ekonomike. Drejtoresha e DAR Fier,Yllka Beci, pasi kontaktoi me biznese të ndryshme, arriti të sigurojë transportin e fëmijëve për në shkollë.Sot Madalena dhe Juljani janë ulur në bankat e shkollës së mesme "Vasil Sota".


EMISIONET