Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e shteteve të Ballkanit Perëndimor për integrime evropiane, ka deklaruar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell. 

Këto komente, ai i bëri në Prishtinë, në një konferencë për median pas takimit që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyrtari amerikan tha se në Ballkan ka prani të ndikimi të Rusisë, i cili sipas tij, nuk është në favor të askujt.

“Po kemi parë rritje të ndikimit rus në tërë Ballkanin dhe si një pjesë e tyre duke i minuar edhe institucionet demokratike. Kemi qenë të qartë edhe në diskutimet tona me rusët se nuk është as në interesin e tyre dhe as në interesin e  popujve të Ballkanit ky ndikim”, theksoi Mitchell

Amerika nuk ka plan te ri per Kosoven

Zyrtari amerikan  përgënjeshtroi disa shkrime në media, kryesisht në ato nga Serbia, se po e fillon këtë turne diplomatike në Ballkan për të propozuar një plan të ri amerikan për Kosovën.

“Nuk kam ardhur këtu që të shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, për të folur për dialogun për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, tha Mitchell.

Gjatë ditës, Mitchell do të takojë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues tjerë politikë dhe ata të shoqërisë civile.

Sipas një komunikate të Departamentit Amerikan të Shtetit, Mitchell po viziton Kosovën që të arrijë përparim në dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, të ndikojë në forcimin e sundimit të ligjit, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të kapërcejë sfidat rajonale në interes të stabilitetit dhe të integrimit në Perëndim.

Turneu i Wess Mitchell në Ballkan do të zgjasë deri më 17 mars. Pas Prishtinës ai do të vizitojë edhe Shkupin, Beogradin, Athinën dhe Nikozinë.

/Ora News.tv/