PD në Prokurori për audio-përgjimin: Duhej të vinte Agron Xhafaj, jo ne

PD në Prokurori për audio-përgjimin: Duhej të vinte Agron

Tre zyrtarët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj kanë dhënë dëshminë e tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me përgjimin e PD, ku pretendohet se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është i përfshirë në trafikun e drogës. 

I pari që doli nga Prokuroria ishte eksperti ligjor në PD, Gazmend Bardhi, i cili tha se është pyetur rreth fakteve dhe provave të publikuara nga PD, ndërsa shtoi se duhen dënuar personat e përfshirë në trafik droge.

Gazment Bardhi: Siç ju e dini ne sot ishim në cilësinë e personave që kemi apo që mund të japim të dhëna mbi hetimin që ka nisur Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sigurisht që faktet dhe argumentat tona tashmë janë publike. Jemi përpara një rasti të dokumentuar të abuzimit me pushtetin nga ministri i Brendshëm dhe qeveria për llogari të një veprimtarie kriminale të vëllait të ministrit të Brendshëm. Unë jam jurist dhe sigurisht që do të bashkëpunoj me organin e Prokurorisë sa herë që të thirrem por nuk mund të rri dot pa shprehur shqetësimin tim që kjo është Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge që është vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është marrë ai i pari në pyetje por jemi marrë ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje ministri i Brendshëm që i lehtëson veprimtarinë kriminale vëllait por jemi marrë ne që e denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje akoma Kryeministri që ka krijuar një alibi publike ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafajt. Por ndërkohë nuk ju bën ju me dijeni dhe besoj se ju nuk e keni aktin e ekspertimit. Dhe prokuroria do të duhet të kishte sekuestruar këtë material privat, siç e quan kryeministri sepse është një e dhënë që i ndihmon hetimet.

Prandaj edhe thirrja ime publike ndaj organit të Prokurorisë është që të fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji. Dhe drejtimi i duhur që i kërkon ligji është të ndëshkohet në mënyrë spektakolare individët e përfshirë në krim të organizuar dhe individët që bëjnë trafik droge. Rasti është publik bëhet fjalë për vëllain e ministrit të Brendshëm.

Deputeti Ervin Salianji mbërriti në prokurori me një pankarte ku shkruhej “Unë nuk jam Ervin Salianji” ironi e përdorur ndaj deklarime të vëllait të Ministrit të Brendshëm, tha se Prokuroria është e fokusuar më tepër te kallëzimi i rremë i Xhafajt sesa te akuzat ndaj tij, ndërsa paralajmëoi se ka edhe te tjera pjese të përgjimit

Ervin Salianji: Në përgjimin që unë kam parë dhe disponohen nga ana e PD që  ka ardhur nga gazetari Jetimir Olldashi shihet zëri i gazetarit Olldashi, bashkëpunëtorit X Albert Veliu dhe i trafikantit tjetër i cili është bashkëpunëtor apo  zari i Agron Xhafajt ku flitet qartazi për "10 kile drogë mos më hajde, unë flas për 100 kile e sipër"

I fundit që mbërriti në Prokurori ishte deputeti Enkelejd Alibeaj i cili bëri me dije se tashmë ai do të jetë përfaqësuesi i ligjor i viktimave në këtë çështje dhe për këtë do i kërkojë prokurorisë pyetjen e dëshmitarëve

Enkelejd Alibeaj: Që sot edhe në vazhdim të jem përfaqësuesi i viktimave të këtij fenomeni kriminal. Që do të thotë, në bazë të parashikimeve ligjore unë deputeti Enkelejd Alibeaj kam të drejtë të kërkoj thirrje dëshmitarësh, kqyrje, bërje aktesh, akte të tjera hetimore si një mundësi që procesi penal mos merret peng nga Rama dhe Xhafaj. 

Gjatë dëshmive para hetuesve, mësohet se deputetët nuk kanë dhënë sqarime për mënyrën se si e kanë siguruar përgjimin e pretenduar, ndërsa për mediat kanë folur me gjuhë politike për atë çfarë kanë deklaruar para prokurorëve.

Krimet e rënda kanë  marë ne pyetje të hënën (21 maj) gjithashtu edhe gazetarin Jetmir Olldashi, të cilit i është kërkuar që të paraqesë edhe aparaturën me të cilën realizioi audio përgjimin. Të premten Prokuroria e Krimeve të Rënda mori edhe dëshminë e Albert Veliut personit që pretendohet ka kryer edhe përgjimin ndërsa tashmë mbetet që organi i akuzës të kërkojnë një ekspertizë për zerat e personave në audiopërgjim..

Në audio përgjim PD pretendon se vëllai i Fatmir Xhafës, Agron Xhafaj, bën pazare me një person tjetër për trafikun e drogës. Vetë Agron Xhafaj, në një letër të hapur për publikun, bëri të ditur se do ti dorëzohet vetë autoriteteve italiane, ndërsa tha se audio-përgjimi eshte fals për të shantazhuar ate dhe vellain e tij, Fatmir Xhafaj.



EMISIONET