Zinedine Zidane është trajneri i ri i Realit të Madridit. Pas thuajse një viti larg "Santiago Bernabeut", Zizu ka marrë sërish rrugën drejt Madridit, duke hedhur të zezën mbi të bardhë deri në vitin 2022.

Në krye të pankinës së spanjollëve, Zidane pason të shkarkuarin Santiago Solari. Eliminimi nga Champions League dhe Kupa e Mbretit, si dhe distanca e madhe me kreun e La Liga, e kanë bindur Florentino Perez të josh sërish Zidane. Ky i fundit depozitoi dorëheqjen e tij në fillim të sezonit aktual, pas tre triumfeve të njëpasnjëshme në UEFA Champions League.

Zidane është trajneri i tretë i Realit në këtë sezon. Dhjetë muaj më parë, drejtimin e Galaktikëve e mori ish-trajneri i kombëtares spanjolle, Julen Lopetegui, i cili ashtu si pasuesi i tij, Solari, u shkarkua nga Perez për rezultate negative. Nuk dihet ende se sa do të jetë shifra që do të përfitojë Zidane, por besohet të jetë më e lartë se ajo e Juventusit, një tjetër skuadër që kishte shfaqur interes për të.




/Ora News.tv/