Eksperienca e Ze Maria në pankinën e Tiranës është mbyllur përfundimisht, me klubin bardheblu që ka prishur me mirëkuptim kontratën me teknikun brazilian.

Vendimi ka ardhur pas startit negativ të klubit në Kategorinë Superiore, ku pas 8 javësh ka grumbulluar 8 pikë. Humbja e derbit ishte një goditje mjaft e fortë për Ze Maria, ndërsa disfata ndaj Laçit duket se ka rezultuar decizive për shkarkimin e brazilianit. Kështu, Ze Maria paguan në këtë mënyrë rezultatet e dobëta në drejtimin e Tiranës në Kategorinë Superiore, ku në 8 ndeshje bardheblutë kanë fituar vetëm 2 ndërsa kanë humbur 4 të tjera. 

Zëvendësuesi i Ze Maria, pritet të jetë Ardi Mema, i cili mund të marrë çelsat e bardhebluve menjëherë.

Për momentin Mema është zëvendës trajner i Flamurtarit, por një ofertë nga kryesia bardheblu do e detyronte të merrte menjëherë rrugën për në kryeqytet dhe të marrë drejtimin e skuadrës.

Mësohet se ditën e sotme, Ze Maria ka mbërritur me 15 minuta me vonesë, ndërsa zhvilluar një mbledhje të shkurtër me lojtarët dhe më pas bashkë me stafin e tij janë larguar. Në stërvitje me lojtarët ishte vetëm trajneri i portierëve, Emanuel Egbo, që mendohet se do të qëndrojë te bardheblutë.

/Ora News.tv/