Festë në pjesën e kuqe të Manchesterit, pasi klubi i "djajve të kuq" ka zyrtarizuar blerjen e parë për këtë merkato vere. Konfirmimi ka ardhur përmes faqes në "Twitter", me United që ka kompletuar blerjen e Daniel James nga Swansea City.

James ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Manchester Unitedin, me mundësi për ta zgjatur atë edhe për një vit tjetër. Manchester Unitedi pritet të paguajë 15 milionë funte për Jamesin, të cilit i kishte mbetur edhe një vit në kontratën me klubin e Championshipit.

21 vjeçari e kishte kërkuar edhe më parë largimin nga Swansea dhe gjatë afatit kalimtar të janarit ishte shumë afër transferimit të Leeds United për 8.5 milionë funte. Mirëpo, në fund kjo marrëveshje dështoi.

Anglezi preferon të luajë në pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, mirëpo nganjëherë luan edhe në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë dhe si mesfushor sulmues.