Probleme nga bora në disa qarqe, mungesë energjie e furnizimi me ujë

Moti i keq i shoqëruar me reshje dëbore vijon të mbajë të mbërthyer një pjesë të vendit.

Në qytetin e Gjirokastrës mësohet se situata është normalizuar dhe se kanë filluar reshjet e shiut. Akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa problem mbeten zonat e thella të qarkut Gjirokastër. Qytetarët ankohen për mungesën e informacionit mbi shkollat pasi nuk ka dalë DAR Gjirokastër në ndonjë komunikatë. Sot prindërit nuk i kanë çuar në shkollë fëmijët.Po ashtu ka probleme edhe me ujin e pijshëm, pasi kanë ngrirë tubacionet.

Në qarkun e Korçës trashësia e borës ka arritur deri në 30 cm, ndërsa në pikën turistike të Dardhës ka arritur në 70 cm.

Voskopoja dhe Pusteci janë të kalueshme pa zinxhirë. Në të gjitha akset e tjera, lëvizja e mjeteve kryhet me zinxhirë.

Punonjës të mirëmbajtjes dhe borëpastrueset ndodhen në terren.

Të bllokuara vijojnë të mbeten fshatrat Lekas, Dardhas, Velçan, Shtyllë.

Në të gjithë qarkun Dibër janë mbyllur shkollat, ndërkohë që po punohet në të gjitha akset rrugore, sidomos në zonat më problematike të segmentit të rrugës nacionale Peshkopi-Bulqizë.

Ndërkohë në imbox-in e Ora News një banor i fshatit Orenjë në Librazhd thotë se janë izoluar nga bora dhe pa energji elektrike. Banorët e zonës apelojnë për hapjen e rrugës.

Në Shkodër, situata e reshjeve të borës në zonat malore ka njohur përkeqësim, sidomos në zonën e Thethit dhe Kelmendit, ku trashësia ka kaluar mbi 60 cm.

Në qytet reshjet kanë vijuar deri në mëngjes, probleme ka patur me qarkullimin e brendshëmm sidomos në unazat e qytetit dhe rrugët periferike. Në disa zona, kryesisht fshatrat e thellë, ka patur shkëputje të energjisë elektrike.

Të bllokuara mbeten Qafe Thorë-Theth, një pjesë e rrugëve rurale të Dukagjinit, me vështirësi kalohet në njësine administrative Kelmend që kërkohet përdorimi i zinxhirëve.

Edhe sot, 23 shkolla vijojnë të jenë të mbyllura. Ka pjesmarrje të ulët të nxënësve edhe në qytet dhe njësi të tjera ku janë të hapura. Orët janë shkurtuar.

Probleme ka dhe në qarkun e Lezhës.Njësia administrative Ungrej është e bllokuar dhe nuk zhvillohet mësim në shkollat në Kalivaç, Ungrej dhe Dragushë. Furnizimi me energji është  i rregullt. Situata paraqitet me probleme edhe në bashkinë  Mirditë. Ka prezencë dëbore në të gjithë territorin. Trashësia e dëbores shkon nga 15 cm në qytetin e Rreshenit deri 60 cm në fshatrat e thellë malorë. 

Është  ndërprerë mësimi në të gjitha shkollat. Rruga e Kombit është e kalueshme, rrugët rurale janë të bllokuara pjesërisht, një pjese e tyre kalohen me zinxhirë. Janë pa energjia njësia administrative Rubik me fshatrat, njësia adminitrative Kthelle ( Prosek e Malaj ). Hyrja e qytetit Rreshen është me prezence akulli. OSHEE është në terren dhe po punon për riparimin e defekteve.

Edhe në Elbasan, reshjet e dëborës i kanë lënë vend shiut. Si pasojë e rënies së reshjeve të shiut gjatë gjithë natës është zhbllokuar situata në mjaft akse. Të gjitha rrugët nacionale janë të hapura përfshirë aksin problematik një ditë më parë Librazhd- Prrenjas- Qafë Thanë.

 Po kështu të hapura janë akset Cërrik- Gramsh dhe Elbasan- Gjinar. I vetmi aks që paraqet probleme është aksi Librazhd- Stëbleve, te kthesa e Lunikut. Me urdhër të DAR nuk zhvillohet mësim në asnjë shkollë të Librazhdit dhe Prrenjasit, ndërkohë që në Elbasan nuk zhvillohet mësim në shkollën e fshatit Shmil.  

Si pasojë e hapjes së rrugës në Gramsh mësuesit kanë shkuar në shkollë dhe shkollat janë të hapura. Fatmirësisht për shkak të terrenit fushor nuk ka probleme në Cërrik, Belsh dhe Peqin. Ndërkohë probleme ka me mungesën e energjisë elektrike në disa fshatra të bashkisë Librazhd dhe Prrenjas, si në Lunik, Orenjë, Qarrishtë dhe Mokër, të cilën një pjesë e përfshin Pogradeci. Bëhet me dije se specialistët e OSHEE po punojnë në terren për ti rikthyer energjinë elektrike..


 

EMISIONET