Zjarr në një pallat në Tiranë, evakuohen banorët

Një zjarr ka rënë mbrëmjen e së dielës (2 dhjetor) në një pallat në rrugën "Teodor Keko" në Tiranë ose siç njihet ndryshe si zona e Astirit.

Shkak mendohet se ka qenë shkëndija në panelin elektrik të pallatit.

Policia dhe shërbimi i zjarrfikësit kanë shuar flakët, por tymi ka asfiksuar disa banorë, të cilët kanë marrë ndihmën e parë.

"Ka pasur një shkëndije elektrike në katin e tretë të pallatit dhe më pas është përhapur deri në katin e 13. Janë dëmtuar të gjitha linjat elektrike. Nuk ka asnjë banesë të dëmtuar. 6 personat që u evakuuan në katin e 8 dhe të 9, që do të thotë ndërhyrja ka qenë pak më e avashtë për shkak të largësisë së kateve"

Zjarri ka shkaktuar panik të banorët, të cilët janë evakuuar. Sipas tyre prej kohësh ka patur probleme me paketat elektrike të këtyre pallatave.

"Nuk e dimë si ra zjarri, vetëm dëgjuam zhurma, që po vinte zjarri nga katet e poshteme. Filloi një tym i zi. Na kapi paniku. Pas 30 minutash erdhi zjarrfikësja. Erdhi policia më pas zjarrfikëset. Jemi 32 familje në pallat. Ne ishim dy  persona në familje, djalin nuk e kisha. Erdhi ndihma e shpejta".

"Instalimi është i dobët. Para tre vitesh ka rënë zjarri në pallat dhe nuk është bërë asgjë", tha një tjetër banore.

Gjithesesi hetimi për të gjetur shkakun e vërtetë të zjarrit do të vijojë.

Njoftimi i policisë

Në rrugën “Teodor Keko” ka rënë zjarr në panelin elektrik të një pallati i cili është fikur nga shërbimi i zjarrfikëses.
Shërbimet e policisë në bashkëpunim me zjarrfikësit po bëjnë evakuimin e banorëve për shkak të prezencës së madhe të tymit. Deri në këto momente nuk ka persona të dëmtuar. Në vendgjarje ndodhen edhe ambulancat.



EMISIONET