Ja si shpërtheu karburanti në Lezhë, dy vajza të mitura në mesin e 7 të plagosurve

7 persona kanë mbetur të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë, pas shpërthimit të një depozitë gazi në një karburant në superstradën Lezhë-Laç.Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes të së shtunës (24 gusht 2019) pranë kryqëzimit të Shënkollit. Depozita e gazit ka shpërthyer dhe ka marrë flakë në momentin e furnizimit të një automjeti me gaz. Për pasojë janë lënduar 5 shtetas, anëtarë të së njëjtës familje që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, si dhe 2 punonjës të karburantit.

Kështu duket sot karburanti "Ekooil" në Lezhë, i cili përfshi nga zjarri mbrëmjen e së shtunës, 24 gusht 2019. Orët e para të mëngjesit i kanë gjetur punëtorët e karburantit duke pastruar zonën dhe mbetjet e shkaktuara nga shpërthimi që siç mund të shikohet janë ende prezente përreth.

Ndërkohë detaje të reja kanë dalë nga shpërthimi. Policia thotë se rreth orës 22:10 të së shtunës, në aksin rrugor Lezhë-Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në  karburantin "Ekooil" ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve.

Mes 7 të plagosurve, dy vajza të mitura

Si pasojë e shpërthimit të depozitës 5 mijë litërshe gaz, janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz. Konkretisht çifti i bashkëshortëve  Bardhok dhe Donika Bushati 36 dhe 33 vjeç, 2 vajzat e tyre të mitura 5 dhe 2 vjeçe si dhe vëllai i Bardhokut, Altin Bushati 33 vjeç. 

Nga shpërthimi janë plagosur dhe punonjës pranë karburantit, shtetasit Nikolin Prenga dhe Petrit Loka 40 dhe 31 vjeç.

Nga zjarri janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.

Një nga të plagosurit në reanianimacionin e Djegie Plastikës në QSUT

Dy nga të plagosurit, N.P. dhe Bardhok Bushati kanë marrë plagë më të rënda dhe ndodhen në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën. 

 "Mbrëmë rreth mesnatës në Shërbimin e Djegie-Plastikës ka ardhur me urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore, me djegie 40% , pacienti me inicialet N. P, 40 vjeç. Gjendja e tij shëndetësore sipas mjekëve të shërbimit të Djegie Plastikës, paraqitet e stabilizuar" informon  spitali.


Dyshimet e para për shpërthimin

Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj. Gjate operacionit një zjarrfikëse përfundoi e përmbysur pasi shmangu përplasjen me një tjetër automjet. 

Si rezultat i shpërthimit për disa orë u bllokua edhe qarkullimi i mjeteve, për të rifilluar diku pas orës 23:00, pasi shërbimi zjarrfikës arriti të shuajë plotësisht zjarrin në karburant dhe nuk kishte më rrezik.

"Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen,  forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit.  Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve  nga perimetri i sigurisë, si dhe  bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje" njoftoi policia. 

Në foto: Momente gjatë shpërthimit të karburantit

Në foto: Momente gjatë shpërthimit të karburantit

Në foto: Momente gjatë shpërthimit të karburantit

EMISIONET