Zhvlerësimi i euros ka shtuar rrezikun për bankat e nivelit të dytë ndërsa ka sjellë më shumë përfitime për qytetarët që kanë marrë kredi në euro. Gjatë prezantimit të raportit të Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e dytë të 2017, Banka e Shqipërisë theksoi se luhatjet e kursit kanë rritur vëmenjden e bankave ndaj tij.Përsa i përket shtrëngimit të kreditimit, Banka e Shqipërisë sqaron se kjo lidhet edhe me kërkesën e ulët të individëve.

Monedha europiane vijon që të zhvlerësohet kundrejt lekut shqiptar.

Aktualisht një euro po shkëmbehet me 129 lekë, e cila vlerësohet si një ndër vlerat më të ulta të viteve të fundit.

Drejtuesit e Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar deklaruan se kjo situatë ka shtuar vëmendjen e bankave të nivelit të dytë kundrejt kursit të këmbimit.

Kjo pasi pjesa më e madhe e kredive që janë dhënë në Shqipëri janë në monedhën europiane dhe kjo ka bërë që të kenë më pak fitime por Banka e Shqipërisë e sheh këtë pozitive për individët që kanë marrë kredi në euro pasi po paguajnë më pak para për këstet.

Dobësismi i euros kundrejt lekut ka dëmtuar edhe eksportuesit por në tërësi Banka e Shqipërisë argumenton se ekonomia shqiptare nuk do të ketë impakt.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,Gent Sejko, gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë tha se se kjo situatë është ndikuar prej prurjeve në euro në formën e investimeve të huaja por edhe nga rritja e besimit për lekun dhe se nuk është i nevojshëm një ndërhyrje nga ky institucion.

Përsa i përket shtërngimit të kreditimit gjatë muajve të fundit, Banka e Shqipërisë e shpjegon edhe me kërkesën e ulët nga individët por edhe nga bizneset.

Raporti i Stabiliteit financiar për 6 mujorin e dytë të 2017 tregon një tëndencë për të rritur kursimet, fakt ky që konfirmohet edhe prej rritjes së depozitave.

ZHVLERËSIMI I EUROS

2013 140.3

2014 140

2015 139.7

2016 137.4

2017 134.5

Prill 2018 129


/Ora News.tv/