Prodhuesit shqiptarë kërkojnë nga qeveria një zgjidhje e cila do të mbronte produktet shqiptare përballë konkurentëve.Të mbledhur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar në lidhje me efektet që po jep zhvlerësimi i euros, Arben Shkodra, sugjeron se një mënyrë mund të jenë edhe lehtësitë fiskale deri në stabilizimin e situatës. Aktualisht një euro në tregun e këmbimit valutor po këmbehet me 126.6 lekë dhe gjatë kësaj jave ka pasur një trend rënës.

Zhvlerësimi i euros po rrezikon prodhimet Made in Albania. Prodhuesit më të mëdhenj shqiptarë janë mbledhur së bashku për të diskutuar mbi dëmin që po pësojnë.

Arben Shkodra deklaron se ndjehen të shqetësuar për faktin se rënia e euros vazhdon dhe nuk dihet se kur mund të ketë një stabilizim të gjendjes, duke ndikuar në uljen e fitimeve të cilat shkaktojnë automatikisht edhe shkurtim të vendeve të punës.

Arben Shkodra: Mendojmë dhe besojmë fort që impaktin më të madh do ta ketë Made in Albania, pra produktet e gjeneruara totalisht në Shqipëri. Kemi sektorin që është sektori i materialeve të ndërtimit që gjenderohet në Shqipëri, tullat, fabrikat e çementos. Të gjithë lëndën e parë ato e marrin në lekë shqiptare, gjithë përpunimin e kryejnë në lekë shqiptare por eksportin ata e bëjnë pastaj në euro.

Prodhuesit shqiptar kërkojnë dialog me qeverinë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e momentit duke ulur tarifat apo taksat.

Arben Shkodra: Qeveria ndaj nesh ka taksa, ka tatime, ka tarifa, ka procedura.Lëmi është shumë i gjerë. Hajde ulemi dhe diskutojmë se ku ne mund të jemi të lehtësuar përkohësisht derisa të zgjidhet kjo situatë.

Sipas Shkodrës, ulja e euros lidhet me burime informale të futjes së sasisë së euros pasi nuk justifikohet me nivelin e investimeve të cilat janë të njëjta me një vit më parë.

Arben Shkodra: Natyrisht kjo ka ndodhur për shkaqe të cilat ndoshta nuk janë edhe të ligjshme. Ne nuk mendojmë se ka patur një hov ose zhvillim kaq të madh në këto tre muaj që ka sjellë këtë gjë, nuk kemi parë ndonjë investim të huaj kaq të madh që të sjellë këtë rënie të euros.

Aktualisht një euro po këmbehet në tregun e këmbimit valutor me 126.6 lekë, ndërsa gjatë javës ka pasur një tendencë të ndjeshme në rënie.

Kjo vlerë e euros konsiderohet më e ulëta në 10 vitet e fundit.

/Ora News.tv/