Sa afër aq edhe larg. Kështu të paktën duket kjo fazë e bisedimeve për zgjidhjen e emrit. Në çdo paraqitje të tij, Zaev thotë se është çështje ditësh kur do të realizojë bisedën me homologun e tij grek Tsipras, e cila është edhe vendimtare për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Duke përsëritur frazën e njëjtë Zaev tha se në pyetje janë detaje dhe se më e rëndësishme është të arrihet marrëveshje e mirë, por se kjo është e vështirë dhe e ndjeshme.

"Sinqerisht dëshiroj sonte t’i telefonoj ose të më telefonojnë, ose nesër, pasnesër. Por ditët, besoj, varësisht problematikës që po e bisedojmë janë pak. Prandaj edhe Ministria e Jashtme edhe Greqia paralajmërojnë se janë në pyetje ditë, zv/kryeministri ynë Bujar Osmani përcolli porosi se orë janë në pyetje. Dhëntë Zoti t’i afrojmë qëndrimet për këtë çështje për të cilën bisedojmë që menjëherë atë ta ndajmë me opinionin", deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Pavarësisht premtimeve të kryeministrit Zaev, nga Ministria e Jashtme thonë se më e rëndësishme është cilësia e marrëveshjes se sa koha e arritjes së saj.

Në një njoftim të dikasterit të jashtëm thuhet se grupet e punës duhet që në marrëveshjen finale t’a inkorporojnë rezultatin e arritur në negociata mes dy ministrave të jashtëm./Alsat-m.

/Ora News.tv/