Zgjerimi ndihmon stabilitetin

Zgjerimi ndihmon stabilitetin

Na ndajnë dhe pak ditë nga prezantimi i progres-raportit të Komisonit Europian për Shqipërinë nga i cili pritet një PO për çeljen e negociatave. Ndërkohë analistët theksojnë se mungesa e bashkimit për zgjerimin po i çon disa vende të Ballkanit drejt aleancave me Moskën, Ankaranë dhe Pekinin. Dhe ashtu siç pritej, çështjen e zgjerimit po përdoret si kartë nga euroskeptikët për të trembur votuesit e tyre.

Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn do të prezantojë progres-raportin për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian më 29 maj gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian. Kjo mbledhje do të zhvillohet pak ditë pas zgjedhjeve europiane.

Komisoneri Hahn është një zyrtarët më të lartë të bllokut që kërkon njohjen e arritjeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke çelur negociatat e anëtarësimit, përndryshe ka paralajmëruar ai, rrezikohet qëndrueshmëria e të gjithë rajonit.

Kjo e fundit shqetëson dhe studiuesin e shkencave politike në Europën Juglindore Jasmin Mujanoviç, që në një editorial për gazetën "The Washington Post” shkruan se duke përfituar nga paqëndrueshmëria e Brukselit dhe mungesa e qasjes për zgjerimin po i nxit elitat joliberale të ndërrojnë aleanca dhe të shohin drejt partnerëve të rinj e autokratikë në Moskë, Pekin dhe Ankara.

Studiuesi Mujanoviç shkruan për “The Washington Post” se Brukseli mund të ndryshojë kursin dhe sugjeron çeljen formale të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të paktën t’i japë Bosnjës statusin e kandidatit.

Për shkak të zgjedhjeve europiane udhëheqësit e vendeve kryesore të bllokut, si Franca apo Gjermania janë përpjekur ta shmangin çështjen e zgjerimit, pasi disa politikanë po e përdorin atë si kartë për të trembur votuesit e tyre.

E fundit që ka folur kundër zgjerimit dhe kundër Shqipërisë është Nathalie Loiseau, ish-ministrja e franceze e Çështjeve Europiane.

Aleatja e presidentit Emmanuel Macron dhe kandidatja kryesore e partisë së tij “En Marche” për zgjedhjet europiane thotë në një intervistë se “Ne jemi kundër çeljes së negociatave dhe do të vazhdojmë të jemi kundër. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gjeografikisht në Europë, ne duhet t’i ndihmojmë, por zgjerimi nuk është në tryezë,” shprehet ajo.

EMISIONET