Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka nisur drejtimin e mbledhjes së Këshillit të Jashtëm të bllokut, në të cilin po diskutohet ndër të tjera edhe për Paketën e Zgjerimit të BE-së.

Kjo paketë pritet të adoptohet ditën e sotme, për t'u paraqitur më pas ditën e nesërme në seancën plenare të Parlamentit Europian. Në këtë mbledhje do të jepet verdikti për çeljen ose jo të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, ndërsa pritshmëritë dhe optimizmi mbeten në nivel të lartë, si në Tiranë ashtu edhe në Bruksel.

Gjithashtu, mediat europiane të cilat raportojnë se kanë mundur të shohin draftin, kanë shkruar se do të ketë një lajm pozitiv për Shqipërinë. Mogherini gjatë fjalës së mbajtur përpara nisjes së mbledhjes deklaroi edhe njëherë se Ballkani është pjesë e Europës dhe synohet që vendet ballkanike të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Gjithashtu, ajo konfirmoi nisjen e turit ballkanik pasditen e së martës, i cili do të fillojë me ndalesën në Tiranë.

/Ora News.tv/