Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka konsoliduar pushtetin politik duke fituar edhe shumicën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.

Partia e tij e re "Shërbëtori i Popullit" ka fituar mbi 42 për qind të votës popullore bazuar në rezultatet paraprake.

Partia properëndimore e ish-presidentit Petro Poroshenko ka dalë partia e tretë kryesore me rreth 9 për qind të votës dhe partia nacionaliste e ish-kryeministres, Julia Timoshenko, 1 për qind më pak.

Zelenski deklaroi në fundjavë se është i gatshëm të formojë një koalicion me grupimin më të ri parlamentar, "Zëri", por jo me forcat e vjetra politike.

"Nëse më pyesni për Julia Timoshenkon, zotin Poroshenko apo zotin Vakarçuk, të gjithë janë të vjetër në politikë dhe unë mendoj se në postin e kryeministrit të Ukrainës na duhet një fytyrë e re, një specialist ekonomie," u shpreh kreu 41-vjeçar i shtetit.

Në sistemin miks elektoral të Ukrainës, ku gjysma e deputetëve përcaktohen nga listat partiake dhe gjysma tjetër zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, partia e Zelenskit parashikohet se ka fituar shumicën absolute nga 450 mandatet e mundshme parlamentare.

Presidenti i ri, një ish-komedian që në muajin prill triumfoi me 73 për qind të votës kundrejt rivalit tjetër presidencial, Poroshenko, ka parashtruar si prioritete stimulimin e ekonomisë dhe luftën ndaj korrupsionit dhe oligarkëve, luftë e cila pritet përmes transformimit të sistemit të drejtësisë dhe caktimit të një prokurori të ri të përgjithshëm.

/Ora News.tv/