Zgjedhjet në Turqi, Yildirim i përgjigjet BE-së: Shihni punën tuaj

Zgjedhjet në Turqi, Yildirim i përgjigjet BE-së: Shihni

Bashkimi Europian nuk duhet të ndërhyjë apo të shprehë shqetësime për zgjedhjet e parakohshme në Turqi. Ka qenë kjo përgjigja e kryeministrit turk për kërkesën e shprehur nga Këshilli Europës, që Ankaraja të shtyjë zgjedhjet. Sipas zyrtarëve të kësaj trupe, votimi i caktuar në datën 24 qershor nuk i përmbahet vlerave themelore europiane.

Kërkesës së Këshillit Europian për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme të Turqisë, kryeministri i vendit Binali Yildirim i është përgjigjur kështu: “Shihni punën tuaj!” Nga një konferencë për shtyp në Madrid, kryeministri turk deklaroi se është Turqia ajo që do të mbajë zgjedhjet, dhe jo Këshilli i Europës.

Përgjigja e kryeministrit vjen në një kohë kur komiteti i monitorimit pranë Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës i ka kërkuar autoriteteve turke të shtyjnë zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 24 qershor, me argumentin se Ankaraja duhet t’i përmbahet vlerave themelore të këtij Këshillit.

Në përgjigjen e tij nga Madridi, kryeministri turk Yildirim madje kritikoi ashpër vendimin e Këshillit të Europës për të ftuar një ish-udhëheqës të Partisë Kurde në një event që kjo trupë zhvilloi gjatë ditës së hënë. 

“Të sjellësh një terrorist dhe t’i lejosh atij të flasë nuk kontribuon as në paqe dhe as në vlerat e Europës,”-u shpreh kryeministri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun spanjoll Mariano Rajoy, mbajtur pas Samitit Ndërqeveritar Turqi-Spanjë, palët gjithashtu u ndalën edhe në rolin që Turqia luan në luftën kundër terrorizmit. 

Rajoy deklaroi se Europës i duhet më shumë bashkëpunim kundër kërcënimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes, në mënyrë që i gjithë rajoni i Mesdheut të ruajë paqen.

EMISIONET