Zgjedhjet në Kongres shihen si referendum ndaj Presidentit Trump

Zgjedhjet në Kongres shihen si referendum ndaj Presidentit Trump

2018 është një vit zgjedhjesh për Kongresin amerikan ku do të votohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe për 34 nga 100 vendet e Senatit. Këto zgjedhje, historikisht nuk kanë qënë të mira për partinë e presidentit në detyrë. Zakonisht, partia e presidentit, humbet 30 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe dy vende në Senat. Presidenti Donald Trump po u bën thirrje mbështetësve të tij që të sfidojnë historinë, sikurse bëri kur ai fitoi Shtëpinë e Bardhë.

Me mendjen tek zgjedhjet e nëntorit për në Kongres, Presidenti Donald Trump është i shqetësuar se mbështetësit e tij mund të mos jenë të motivuar të dalin në votime.

“Ata e marrin si të mirëqënë, dhe nuk angazhohen dhe kështu goditen keq sepse të tjerët janë të dëshpëruar dhe angazhohen dhe janë më energjikë. Por mendoj se me atë që kemi bërë, për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm që kemi patur, kam ndjesinë se do të korrim sukses në zgjedhje. Dua të them që historia nuk është në anën tonë.”

Zakonisht, partia që ka Shtëpinë e Bardhë humbet vende në zgjedhjet e mes-mandatit dhe kjo prirje do të përsëritet, thotë Jim Kessler me organizatën kërkimore ‘Third Way’.

“Kemi një president që nuk gëzon popullaritet. Nëse demokratët ndërmarrin një qasje të zgjeruar, ata do të fitojnë shumë vende.”

Zoti Trump shpreson ta marrë veten nga një vit historikisht me vlerësime të ulta duke u përqendruar në ekonominë e fortë dhe ligjin për shkurtimin e taksave. Kjo duhet të ndihmojë republikanët, thotë udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

“Sipas meje, nëse nuk u mbushim mendjen amerikanëve për këtë, ne duhet të gjejmë një punë tjetër.”

Demokratët janë inkurajuar pas fitoreve të vitit të kaluar në Alabama dhe Virxhinia, ku përdorën zotin Trump si çështjen kryesore elektorale.

Aktivisiti partiak dhe miliarderi Tom Steyer ka financuar një fushatë që bën thirrje për shkarkimin e zotit Trump.

“Lufta ime është për të larguar Donald Trumpin nga Shtëpia e Bardhë dhe kjo fillon me fitoren e zgjedhjeve në nëntor.”

Republikanët shpresojnë se ekonmia do të rrisë vlerësimet për zotin Trump, thotë Michael Barone me institutin “Amerikan Enterprise”.

“Ai ka një ton optimist. Ai po vazhdon me të dhënat se ekonomia po rritet me një normativë mjaft të shëndetëshme.”

Por shumë votues, kryesisht kritikët e presidenti, ka të ngjarë t’i konsiderojnë zgjedhjet e mes-mandatit si një referendum ndaj zotit Trump, thotë analisti John Hudak me Institutin Brookings.

“Presidenti do të jetë faktor përcaktues në zgjedhje. Ka shumë që argumentojnë se demokratët nuk do të kenë sukses në zgjedhjet e nëntorit sepse nuk kanë një tematikë të gjerë dhe të mirë-përcaktuar. Por në realitet, partia në opozitë nuk ka nevojë për këtë.”

Demokratëve u duhet të fitojnë 24 vende më shumë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe dy vende më shumë në Senat që të marrin shumicën në dy dhomat e Kongresit. /VOA/

EMISIONET