Zgjedhjet në Itali, projeksionet parashikojnë një parlament “të varur”

Zgjedhjet në Itali, projeksionet parashikojnë një parlament

Lëvizja 5 Yjet udhëheq projeksionet bazuar në rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve të përgjithshme në Itali, duke u konfirmuar forcë e parë në vend. Të dhënat paraprake tregojnë se koalicioni i qendrës së djathtë udhëhequr nga Silvio Berlusconi do të shpallet fitues i këtyre zgjedhjeve, por pa siguruar shumicën e nevojshme për krijimin e qeverisë, gjë që me gjasa do të rezultojë në një ngërç politik në Itali.

Italia po shkon drejt një parlamenti “të varur” teksa votuesit kanë mbështetur partitë e krahut të djathtë dhe ato populiste në zgjedhjet e përgjithshme të 4 marsit.

Sipas projeksioneve nga Antonio Noto, i cili ndër vite ka bashkëpunuar me Ora News duke parashikuar në mënyrë të suksesshme fituesit e zgjedhjeve, Lëvizja euroskeptike 5 Yjet e udhëhequr nga Luigi di Maio, rezulton forcë e parë në vend me deri në 32.5% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike me 23% të votave, Lega me 16% dhe Forza Italia me 15.5%.

Ndërkohë, në rang koalicioni, aleanca e qendrës së djathtë mes Forza Italia-s së Silvio Berlusconi-t, Lega-s dhe Fratelli d’Italia renditet e para, me Lega-n e Matteo Salvini-t e konfirmuar si parti e parë brenda koalicionit.

Të dhënat e publikuara nga Ministra e Brendshme e Italisë tregojnë për pjesëmarrje në nivele të larta: 72.9% e italianëve kanë votuar për Dhomën e Deputetëve, ndërkohë që 73.05% kanë votuar për Dhomën e Senatit. Rezultatet e pjesshme tregojnë se asnjë forcë politike në vend nuk ka marrrë votat e mjaftueshme për të krijuar qeverinë.

Sipas ligjit të ri elektoral, forca politike përcaktohet si fituese në zgjedhje me të paktën 40% të votave.

Me një rezultat të tillë do të jetë Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, ai që do të marrë vendimin se cila forcë politike do të krijojë qeverinë e re.


EMISIONET