Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë me 8 shtator

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë me 8 shtator

Kosova mund të mbajë zgjedhje të reja parlamentare të dielën e 8 shtatorit.

Burime nga presidenca e Kosovës raportojnë se me vakuumin e krijuar nga largimi i parakohshëm nga detyra i kryeministrit Ramush Hajradinaj, presidentit Hashim Thaçi i lind e drejta të caktojë zgjedhje të reja jo më vonë se 45 ditë.

Propozimin për zgjedhje të reja e bëri vetë kryeministri në largim i Kosovës, Haradinaj, dhe e kanë mbështetur partitë kryesore parlamentare, veçanërisht opozita.

Në një intervistë për "Radion Europa e Lirë", përpara dorëzimit formal të dorëheqjes te presidenti, kreu i qeverisë deklaroi të hënën se popullit i duhet dhënë mundësia të plotësojë vakuumin që ka krijuar largimi i tij.

"Nuk bën që t’i vonohet popullit e drejta për të vendosur për më tutje. Do të ishte me rëndësi që në afatet kohore, diku rreth dy muaj, të ndodhin zgjedhjet. Kohë merr edhe konstituimi i Parlamentit pastaj, edhe formimi i qeverisë së ardhshme. Është me rëndësi që të gjitha këto të ndodhin në afatet e duhura kohore,"-tha Haradinaj.

Dy ditë përpara intervistimit në Gjykatën Speciale të Hagës, kreu i qeverisë përsëriti qëndrimet e tij për tarifat dhe frikën se sovraniteti i Kosovës mund të cenohet.

"Kosova nuk e përballon dot, edhe po të donte, një çmim për njohje që është ndarja e Kosovës ose hapja e kufijve të saj, apo kthimin në një “Dodik Republikë” ose një republikë me ndikim nga Rusia. Edhe taksa nuk bën të hiqet deri në njohje. Në këto qëndrime unë pres përkrahje, unitet pa marrë parasysh që ne, LDK, Vetëvendosje, PSD, garojmë kundër njëri-tjetrit për pushtet,"-shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët më të lartë të Kosovës kujtuan 9-vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.

Ndërkohë është raportuar nga mediat kosovare se Haradinaj pritet të dorëzojë sot edhe formalisht dorëheqjen tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Haradinaj njoftoi për dorëheqjen gjatë mbledhjes së qeverisë të premten (19 korrik), ndërsa më pas njoftoi se letrën për heqjen dorë nga posti i të parit të qeverisë do ta dorëzojë të hënën.

Në një postim në Facebook, kryeministri në largim i falenderoi mbështetësit e tij gjatë këtyre ditëve.

EMISIONET