Zbulohet kush urdhëroi vrasjen e komisar Artan Cukut

Zbulohet kush urdhëroi vrasjen e komisar Artan Cukut

Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar në mungesë masën e sigurisë arrest me burg për Bledar Jambellin personin e dyshuar si urdhëruesin e vrasjes së ish kryekomisar Artan Cukut. Jambelli i njiohur ndryshe edhe si Rikardo Muka nuk është një emër i panjohuar për drejtësisë. Ai ishte skeduar më herët, si i përfshirë në veprimtari kriminale ndërsa është prangosur nga Cuku në ne dhjetor te vitit 2012

Tirane- Bledar Jambelli nga Fieri ose i njohur ndryshe si Rikardo Muka, është personi i dyshuar si porositës i vrasjes së kryekomisar Artan Cukut. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila me 17 prill të këtij viti ka caktuar për të masën e arrestit me burg në mungesë.  Kërkimet policore për kapjen e tij deri me tani në territorin e Shqipërisë nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndërkohë që është mësuar se ai ndodhet jashtë vendit.

Grupi i hetimit ka dalë në konkluzionin se ish-drejtori i Policisë së Vlorë, u vra për shkak të detyrës në radhët e uniformave blu.  

Nga hetimet rezulton se në dhjetor të 2012, Artan Cuku e vuri në pranga Jambellin, pas dyshimeve se ishte autor i vrasjes së Armando Delajt, në shtator të po të njëjtit vit. 38-vjeçari i lindur në Mbrostar Ura, nuk rezultonte një emër i panjohur për policinë.

Ai ishte skeduar më herët, si i përfshirë në vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervin Shehut dhe plagosjen e Ervis Zanajt, në nëntor të vitit 2006. Ngjarja në fjalë, dyshohet se kishte lidhje me një atentat të ndodhur në Spanjë, që u pasua më pas me një zinxhir krimesh të rënda që tronditën Vlorën e Tiranën. Pavarësisht, dyshimeve, Bledar Jambelli ia doli mbanë të rifitonte lirinë, por pas daljes nga burgu ai dyshohet se eshtë hakmarrë ndaj komisarit .

Sipas hetuesve, ai kontraktoi të dyshuarin Mikel Shallari, të cilin e ka paguar për ekzekutimin e ish-drejtorin e Policisë së Vlorës. Hetuesit thonë se porositësi i dha Shallarit fillimisht shumën prej 3 mijë eurosh, ndërsa pjesën tjetër të pagesës do t'ia bënte pasi të kishte kryer vrasjen, të cilën e realizoi prillin e vitit të kaluar në derën e pallatit ku banonte kryekomisari në rrugën e "Kosovarëve" në kryeqytet.

Mikel Shallari ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi dëshmitë e tij zbardhën ngjarjen. Hetimet për vrasjen e zyrtarit të policisë janë drejt fundit dhe pritet që dosja ti dorëzohet gjykatës.

EMISIONET