Dy adoleshentë janë autorët e vjedhjes me dhunë të çantës të parave të një kambisti në qytetin e Vlorës, ngjarje e ndodhur në orët e vona të 16 shtatorit të këtij viti. Operacioni i koduar "Kambisti" përfundoi me arrestimin e të rinjve  M.Gj, 17 vjeç, dhe N.A, 16 vjeç, të dy banues në Vlorë.

"Arrestimi i tyre u bë në lagjen "24 Maji", të cilët tentuar t'u largoheshin shërbimeve të policisë por u kapen menjëherë në rrugën kryesore të kësaj lagjeje", sqaron policia.

Policia sqaron se gjatë "kontrollit fizik dhe në banesat e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumica e parave të vjedhura në total 8.150 Euro, çanta në të cilën ndodheshin lekët në momentin e vjedhjes si dhe xhiboksi i veshur në momentin e vjedhjes me dhunë nga njëri prej autorëve".

Ngjarja

Rreth orës 20:30 minuta të mbrëmjes së 16 shtatorit në lagjen "Bashkimi" të Vlorës, shtetasi me iniciale A.L. 34 vjeç, po transportonte një shumë parash nga një pikë e këmbimit valutor në pikën tjetër. Gjatë rrugës, dy persona i kanë dalë përpara 34 vjeçarit dhe i kanë vjedhur me forcë dhe dhunë çantën e krahut ku kishte brenda saj një shumë të konsiderueshme vlerash monetare.

Policia ka arritur të zbardh ngjarjen pas pesë ditësh, duke vënë në pranga autorët.

Materialet do t'i referohen Prokurorisë në ngarkim të tyre për veprat penale "Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim".

/Ora News.tv/