Zënia e hapësirës publike është një nga problematikat e sezonit turistik  në Velipojë.  Një korriku ishte afati që bashkia Shkodër u kishte lënë të gjithë bizneseve të paguajnë detyrimet ose në rast të kundërt të lirojnë plazhin. Por një pjesë e subjekteve nuk kanë reaguar, ndaj kryebashkiakja e Shkodrës kërkon ndërhyrjen edhe të institucioneve të tjera për të formalizuar shfrytëzimin e bregdetit të Velipojës.

Zaptimi i hapësirave publike mbetet një prej problemeve të sezonit turistik në Velipojë.

1 korriku ishte afati që bashkia e Shkodrës u kishte lënë bizneseve të zonës të paguajnë detyrimet ose në të kundërt të lirojnë hapësirën që shfrytëzojnë.

Por siç pranon kryebashkiakja Voltana Ademi, një pjesë e biznesit nuk e ka respektuar afatin, ndaj tashmë bashkia Shkodër u është drejtuar agjensive ligjzbatuese, Tatimeve dhe Prefekturës për zbatimin e ligjit.

Ademi: Për të gjithë ata që nuk kanë plotësuar kushtet apo kanë zënë hapësirën publike, dikumentacioni është përcjellë në prokurorinë e shtetit, është përcjellë pranë drejtorisë së policisë së qarkut Shkodër, krimit ekonomik përkatësisht.

Kryesisht bëhet fjalë për hotele apo restorante që krahas këtij aktiviteti kanë vendosur shezllonë në plazhe për të cilat sipas Bashkisë nuk paguajnë.

Por nga ana e Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Shkodër thanë se kjo është kompetencë e Bashkisë, e cila duhet të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit për aksionet.

Ndërsa në në lidhje me ndalimin e daljes në det të motorëve të ujit, Ademi ia ka faturuar fajin Policisë Kufitare, pasi thekson se Bashkia e ka kryer detyrën duke i përcaktuar vendet sipas kërkesave.

Ademi: Bashkia Shkodër është e para bashki që sipas kërkesës së policisë kufitare dhe në kordinim me kapitenerinë e Shëngjit ka përcaktuar hartën treguese të vendodhjeve, stacionimeve.

Pak ditë më parë, pronarët e mjeteve të ujit që kanë nxjerrë licenca për aktivitet e sporteve ujore protestuan për të kërkuar zgjidhje të situatës së krijuar.

/Ora News.tv/