Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ai grek, Aleksis Tsipras tentojnë hapjen e një epoke të re - përmirësimin e klimës mes dy vendeve. Por sa do të tejkalohen kontestimet për çështjen e emrit?

Takimi i parë i drejtpërdrejtë i kryeministrit maqedonas dhe atij grek Zaev-Tsipras në Davos rezultoi me iniciativa të drejtpërdrejta për përmirësimin e klimës në marrëdhëniet dhe forcimin e besimit para negociatave për zgjidhjen përfundimtare të kontestit shumëvjeçar rreth emrit. Takimi i Davosit është vlerësuar si hapi i parë më konkret për tejkalimin e kontestit shumëvjeçar për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Me qëllim që të tregojmë konkretisht se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes, paralajmëroj se Qeveria do ta ndërrojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tonë ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Takimi Davosit shpresëdhënës

“Është koha që të gjendet zgjidhje për shkak se kjo është shumë me rëndësi për proceset tona euratlantike. Zgjidhja e fundit patjetër të jetë e pranuar për të dyja palët. Zgjidhja patjetër të jetë në mbrojtje të dinjitetit nacional të popujve tanë”, ka thënë Zaev.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka thënë se zgjidhja përfundimtare duhet të arrihet përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, gjetjen e një emri për përdorim të gjithanshëm, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, dhe se kjo sipas tij nuk mund të bëhet pa ndryshimin e Kushtetutës.

“Dua t'iu them se të dy duam ta zgjidhim kontestin me pragmatizëm dhe përgjegjësi. E them këtë se ne jo vetëm që duam ta zgjedhim çështjen e emrit, por edhe duam t'i vendosim raportet bilaterale në formë të besimit të ndërsjellë, ta luftojmë çdo lloj irredentizmi deri në fund që do të garantojë të mos mbetet asnjë vrimë që do krijojë sfida në të ardhmen”, ka thënë Tsipras.

VMRO kërkon transparencë për bisedimet 

Nga VMRO-DPMNE partia më e madhe opozitare maqedonase e përshëndesin takimin e kryeministrave Zaev dhe Tsipras, duke vlerësuar se kontaktet direkte mund të sjellin thellimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e klimës pozitive ndërmjet të dyja vendeve.

“VMRO-DPMNE nuk ka asnjë informacion për procesin e bisedimeve rreth emrit. Nuk e dime se paralajmërimet e Zoran Zaevit për riemërimin e aeroportit dhe autostradës janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë, me të cilën opinioni nuk është informuar ose bëhet fjalë për hap të njëanshëm të Qeverisë së Maqedonisë. Nëse është në pyetje ndonjë strategji, qytetarët presin të informohen”,thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE.

Zhbogar: Me dialog mund të arrihet kompromis

Takimi i kryeministrit Zoran Zaev dhe Aleksis Tsiparis është lajm i mirë për shkak se vetëm përmes dialogut mundet të zgjidhen problemet dhe çështjet e hapura, vlerësoi ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.

“Në muajt e fundit dy qeveritë me të vërtet zhvilluan dialog intensiv me qëllim që të munden të krijojnë atmosferën, e cila do sjellë deri tek zgjidhja dhe me sa duket takimi i Davosit është themel për mirëkuptim, i cili do jetë në dobi jo vetëm të dy vendeve por edhe për për gjithë rajonin dhe gjithë Evropën”, ka thënë Zhbogar.

Ekspertët: Zgjidhje e pranueshme për të dyja palët 

Njohësit e çështjeve politike besojnë se pas takimit midis Zaev dhe Cipras zgjidhja është shumë pranë epilogut pozitiv.
“Jemi në një periudhë, kur dy shtetet duhet të japin sinjale të vullnetit të mirë dhe mendoj se jemi në këtë vijë. Maqedonia nuk humb, ndërsa pala greke do të mundësojë pranimin e Maqedonisë në disa nisma, NATO dhe BE”, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane. Profesori universitar Lubomir Fërçkovski thotë se ka gjasa që problemi shumëvjeçar të zgjidhet shumë shpejt, por kjo nuk besoj se do të arrihet me ndonjë konsensus të gjerë, të cilin të gjithë e dëshirojnë. “Vlerësoj se zgjidhja do të jetë e qëndrueshme pasi nuk do të prekë, apo rrezikojë identitetin tonë. Nuk mund të parashikoj procedurat, megjithatë konsideroj se së pari marrëveshjet do të kalojnë në Kuvend, pastaj do të kemi pranim të vendit në NATO, e pastaj edhe mund të ketë referendum, por në fazën kur do të jemi në NATO, mendoj se do të krijohet një klimë më lehtë”, thotë Lubomir Fërçkovski.

Sipas profesorit universitar Bashkim Selamani qeveritë e Shkupit dhe Athinës ende nuk kanë krijuar ambient në opinion për një zgjidhje të pranueshme. Veç faktit që palët presin propozim nga një palë e tretë dhe verifikim nga secila palë veç e veç tregon se procesi do të zgjasë. “Të dyja shtetet mes veti do të duhej të propozonin një emër të përbashkët dhe kjo të ishte zgjidhja përfundimtare. Meqë pritet nga pala e tretë se çfarë do të propozojnë kjo shton dilemat se ky problem do të stërzgjatet”, thotë Selmani. Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në kontestin rreth emrit Metju Nimic, gjatë 10-të ditëve të ardhshme pritet të vizitoj Shkupin dhe Athinën.

/DW/
 

/Ora News.tv/