Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka deklaruar se janë katër alternativa që i janë paraqitur Athinës sa i përket mundësisë për të zgjidhur çështjen e emrit. Në një intervistë për agjensinë Reuters, shefi i ekzekutivit maqedonas, thekson se diskutimet tani janë në një fazë substanciale dhe se shpreson që të gjendet gjuha e përbashkët në muajt në vijim.

Zaev: “Sugjerimet tona janë: Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Maqedonisë së Sipërme, Republika e Maqedonisë së Vardarit dhe Republika e Maqedonisë bashkëngjitur me emrin e kryeqytetit, Shkupit. Kjo besoj se bën qartësisht një dallim gjeografik. Ne kemi filluar negociatat dhe po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje. Unë shpresoj që të gjejmë një zgjidhje gjatë muajve të ardhshëm.”

Më tej, Zaev nënvizon se qeveria e tij ka shfaqur vullnet pozitiv për t’i dhënë fund problemeve fqinjësore, duke ndryshuar emrin ‘Alexandri i Madh’ që mbante aeroporti i Shkupit si dhe të autostradës që lidh dy vendet, e cila do të quhet prej këtej e tutje, ‘Rruga e Miqësisë’. Në mbullje, Kryeministri i Maqedonisë nënvizon se zgjidhja e çështjes së emrit, i hap rrugën vendit të tij për të avancuar në përpjekjet e integrimit në BE dhe NATO.

/Ora News.tv/