Zaev: Emri do përkthehet, Merkel dhe Tramp s'mund të na quajnë “Severna Makedonija”

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në intervistë për “Shpigel” thotë se pret të gjendet zgjidhje me Greqinë për çështjen e emrit, por konsideron se nuk është i domosdoshëm ndryshimi i Kushtetutës dhe se marrëveshja eventuale mund të garantohet me marrëveshje ndërkombëtare. E papranueshme, ashtu siç citon, është ndryshimi i emrit të shtetit me emër i cili nuk do të përkthehet.

Zaev thotë se nuk mund të paramendojë dështimin e bisedimeve rreth kontestit të emrit.

“Nuk dua as të mendoj në atë se nuk do të ketë zgjidhje në kontestin me emrin. Ne duhet ta zgjidhim këtë kontest, sepse vetëm ashtu mundemi më tutje të zhvillohemi, të integrohemi në BE dhe të bëhemi shtet përparimtar me sundimin e së drejtës. Ajo është pozitive për tërë rajonin. Dështimi është i paimagjinueshëm për Maqedoninë, për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në një farë mënyre edhe për BE-në”, thekson Zaev në intervistë për Shpigel, që e transmeton DW.

Në raport të kërkesave greke për ndryshime të Kushtetutës, kryeministri i Maqedonisë konsideron se kjo është e domosdoshme.

“Nuk shoh asnjë arsye për kërkesën që ta ndryshojmë emrin në Kushtetutë, ajo nuk është dinjitoze. Greqisë i nevojitet partner i besueshëm dhe jo partner pa dinjitet. Kushtetuta mund të ndryshohet, por ato ndryshime sërish munden të ndryshohen. Garancia më e rëndësishme për Greqinë është zgjidhja e kontestit të emrit të jetë e qëndrueshme. Kjo bëhet me marrëveshje ndërkombëtare, të cilat ratifikohen dhe vlejnë edhe në organizatat ndërkombëtare”, citon Zaev.

Propozimet të cilat këto ditë dëgjohen nga politikanët grekë, për ndryshimin e emrit të shtetit me emër i cili nuk do të përkthehet, për Zaevin janë të papranueshme.

“Nuk mund të njoh argumente të mençura për diçka të tillë. So do të duhet kjo në praktikë, të mos përkthehet emri ynë? Do të duhet t’i detyrojmë kancelaren gjermane Merkel ose presidentin e SHBA-së, Donald Tramp të na quajnë, për shembull, Severna Makedonija? Shembull të tillë nuk ka askund në botë”, potencon Zaev.

Pas ndryshimit të emrit të autostradës dhe aeroportit në Shkup, kryeministri i Maqedonisë thotë se nuk planifikohen gjeste të tilla të ngjashme në këtë drejtim, por paralajmëron se komisionet e përbashkëta nga të dy vendet do t’i përpilojnë librat e historisë.

I pyetur nëse Qeveria gjermane duhet në mënyrë më aktive të marrë pjesë në biseda, Zaev thotë se edhe palës së Maqedonisë edhe të Greqisë i nevojitet përkrahje dhe inkurajim.

“Por të bëhet presion ndaj cilësdo palë, nuk është rrugë e drejtë. Askush nuk mund të na e marrë vendimin e pavarur dhe sovran në kontestin me emrin”, shton kryetari i Qeverisë së Maqedonisë.

Lidhur me pretendimet e mundshme territoriale në të cilat paralajmëron Greqia, Zaev thotë se pretendimet e vetme të Maqedonisë janë kahëzuar drejt plazheve greke.

“Po, ne duam në verë t’i okupojmë plazhet e bukura dhe ishujt grek. Më shumë se një milion banorë të Maqedonisë çdo vit udhëtojnë në Greqi, atje i shpenzojmë paratë tona, e duam Greqinë, ka shumë kontakte mes biznesmenëve dhe turistëve. Por sinqerisht: nuk kemi kurrfarë qëllimesh të tjera”, thekson Zaev për “Shpigel”. /Alsat.M/

EMISIONET