Zaev: Do të ketë përgjegjësi nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese

Zaev: Do të ketë përgjegjësi nëse nuk kalojnë

Shumica parlamentare ende nuk ka siguruar dy të tretat e votave për të miratuar ndryshimet kushtetuese, dhe me këtë zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjet e kontestit të emrit.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se nëse nuk arrihet të sigurohen votat, do të japë përgjegjësi para organeve të partisë së tij, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), që nënkupton edhe dorëheqjen e mundshme.

Kreu i qeverisë, tha se problemi qëndron se ende nuk kanë gjetur një zgjidhje të pranueshme me Lëvizjen Besa, parti opozitare shqiptare, e cila kërkon të pranohet një amendament i saj për çështjen e shtetësisë në dokumentet personale, ku sipas formulimit aktual, të gjithë qytetarët do të jenë /maqedonas/qytetar të Republikës Maqedonia e Veriut.

“Për momentin nuk mund të them nëse kemi 80 deputetë, por ditët janë të numëruara pasi procedura veç se ka filluar. Mund të votohen sot, por mund të mbeten edhe për nesër...nëse nuk votohen të gjithë do të bartin përgjegjësi për këtë proces dhe do të jetojnë me këtë përgjegjësi. Pra, nëse votohen, gëzimin do ta ndajmë të gjithë së bashku për përfitimet që do t'i ketë vendi nga proceset euro-integruese”.

“Pra, sot mund të dihet si do të rrjedhë procesi, nëse nuk votohen (ndryshimet kushtetuese), pason mbledhja e komitetit qendror të LSDM-së për të paraqitur përgjegjësinë”, tha Zaev, duke u ndalur më pas në kërkesën e Lëvizjes Besa, e cila, sipas tij nuk nënkupton mohimin e identitetit maqedonas, por gjetjen e një zgjidhjeje që bashkësitë tjera etnike të mos ndjehen si maqedonas, edhe pse sipas tij, kjo ka të bëjë me shtetësinë dhe jo etninë e shtetasve në dokumentet personale.

Esenca e kërkesës së Lëvizjes Besa është që përmes formulimit të shtetësisë /maqedonase/qytetar i Maqedonisë së Veriut, të mos lihet përshtypje se qytetarët shqiptarë dhe të tjerët do të jenë maqedonas. Këtu qëndron çështja dhe besoj se do të gjendet zgjidhje për këto çështje të karakterit teknik. Shtetësia në dokumentet personale do të jetë /maqedonase/qytetar i Maqedonisë së Veriut, por duhet të gjejmë një formulim edhe për kërkesën e saj. Ajo nuk kërkon që të mohohet identiteti maqedonas, por që të gjendet një zgjidhje që bashkësitë e tjera etnike të mos ndjehen si maqedonas, por si qytetarët të këtij shteti”, tha Zaev.

Nga Lëvizja Besa thanë se kërkesa e tyre është e qëndrueshme dhe se dy votat e tyre do të jenë “kundër” nëse refuzohet amendamenti i tyre.

“Ne kërkojmë që për shqiptarët, për të gjithë ata që dokumentet personale i marrin në gjuhën shqipe, shtetësia të mos jetë maqedonase dhe te pjesa e diasporës insistojmë që të ruhet fryma e preambulës së Kushtetutës. Flasim për çështje para të cilave ne nuk mund të tërhiqemi”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Kryeministri Zaev ndërkohë ditë më parë ka njoftuar se kishte pranuar disa ngakërkesat e partisë tjerë opozitare, Aleanca për Shqiptarët, lidhur me ridefinimin e preambulës së Kushtetutës, çështjen e diasporës dhe vendosjen e Kosovës në ligjin kushtetues si fqinj i Maqedonisë.

Ndërkohë, kundërshtarët e Marrëveshjes me Greqinë sërish kanë bllokuar rrugën para Kuvendit, duke protestuar kundër ndryshimeve kushtetuese, me të cilat, sipas tyre, rrënohen themelet e shtetit.

“Ata e dinë se me këtë po falsifikojnë vullnetin e popullit maqedonas të shprehur qartë në referendum. Marrëveshja është e dëmshme për gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase. Ajo rrënon shtetësinë të arritur me shumë sakrifica nga gjenerata të tërë. Populli këtë nuk do ta lejojë”, tha Solza Gërçeva nga partia “Zëri i Maqedonisë”.

Marrëveshja me Greqinë ishte arritur më 17 qershor, 2018 në Prespë dhe me të Maqedonia ka pranuar të ketë emër të ri, Maqedonia e Veriut, ndërsa gjithashtu ka pranuar se gjuha maqedonase dhe identiteti i saj nuk kanë lidhshmëri me Maqedoninë Antike. Kjo marrëveshje zhbllokon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

/ REL/

EMISIONET