Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka folur për përçarjen nëpër të cilën po kalon Vetëvendosje, pasi plasi skandali në publik e shumë anëtarë dhanë dorëheqje nga partia

Ymeri, në Argument Plus të RTV 21, e ka fajësuar drejtpërdrejt Albin Kurtin për fushatën linçuese ndaj disa njerëzve brenda Vetëvendosjes, gjë që e ka sjellë situatën aty ku është edhe sot: pranë ndarjes.

Ymeri ka thënë që Kurti ka qenë ai që ka nisur fushatën kundër disa njerëzve brenda VV’së me qëllim të eliminimit të disa njerëzve brenda partisë, fushatë që sipas Ymerit, ka filluar rreth muajit tetor të vitit 2016.

Ymeri ka treguar që kritikat dhe mospajtimet brenda VV’së kanë nisur për dy arsye.

E para që dyshohej që brenda VV’së kishte njerëz që punonin për shërbime të huaja, kurse e dyta që disa persona brenda partisë janë rehat në pozicione të ndryshme përmes së cilave kanë ndikuar në VV.

Sipas Ymerit, krejt këto akuza fillimisht janë drejtuar ndaj Dardan Molliqajt, e më pas edhe ndaj anëtarëve të tjerë siç është Aida Dërguti.

/Ora News.tv/