Xhafaj takon drejtoren e EUROPOL: Në 2017, shifrat më të ulëta të kultivimit të kanabisit

Xhafaj takon drejtoren e EUROPOL: Në 2017, shifrat më të

Në ditën e fundit të vizitës në Holandë, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u prit në takim të veçantë nga Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL, Catherine De Bolle.

Xhafaj bëri një panoramë të zhvillimeve të fundit, të cilat lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, si një prioritet i rëndësishëm i qeverisë. Lufta kundër kultivimit të kanabisit, është sipas Ministrit, një nga fushat në të cilën Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë shpenzuar energji të jashtëzakonshme.

“Ky ka qenë një fenomen që për 25 vjet ka rënduar shoqërinë dhe ekonominë tonë. Viti 2017, shënoi një sukses të padiskutueshëm në këtë aspekt, gjatë të cilit patëm shifrat më të ulëta të kultivimit të kanabisit, duke e hequr Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis. Këto rezultate janë certifikuar edhe nga misioni i Guardia di Finanza dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sfida jonë për këtë vit, është qëndrueshmëria e rezultatit të arritur në 2017. Shifrat e këtij viti janë në nivele të papërfillshme dhe tashmë ne vijojmë zbatimin e një plani masash i cili synon eleminimin e këtij fenomeni negative”, theksoi z.Xhafaj.

Ky fenomen, shtoi Ministri, ka shërbyer si bazë e fuqizimit dhe zgjerimit të grupeve kriminale, duke u bërë kësisoj shkak për përhapjen e grupeve kriminale.

“Ishte pikërisht kjo arsyeja, që në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria miratoi një plan të posaçëm veprimi për luftën kundër krimit të organizuar të quajtur operacioni “Forca e Ligjit”. Fokusi i këtij operacioni është goditja e grupeve kriminale të cilat kanë favorizuar, financuar dhe organizuar këtë fenomen, por jo vetëm, përmes një qasje të re ndërinstitucionale. Operacioni “Forca e Ligjit”, përbën në vetvete, një sinergji të kapaciteteve të të gjitha agjencive ligj zbatuese në vend, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar. Për këtë qëllim, është ngritur dhe funksionon Task Forca Qendrore ndërinstitucionale si dhe Task Forca në nivel operacional. Ekspertë të vendeve partnere si Gjermania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia janë atashuar tashmë dhe kontribuojnë pranë TFS Qendrore. Dy janë objektivat kryesore në këtë aspekt, goditja e grupeve kriminale dhe goditja e aseteve të tyre.

Tashmë Policia e Shtetit ka një skedar të saktë të këtyre grupeve. Vetëm në 4-5 muaj të funksionimit, është bërë e mundur goditja e 9 grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë, disa prej të cilëve janë në hetim, apo edhe në proces gjykimi, mbi 100 pjesëtarë të këtyre grupeve janë arrestuar, dhe mbi 10 milionë euro pasuri të sekuestruara.

Policia e Shtetit është duke punuar intensivisht me partnerët tanë ndërkombëtarë për të identifikuar grupet kriminale që veprojnë në vende të tjera. Për këtë, kemi një eksperiencë shumë të mirë bashkëpunimi me Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë, e cila konsiston në hetime dhe operacione të përbashkëta, shkëmbim informacioni në kohë reale. Këtë mënyrë bashkëpunimi jemi të gatshëm ta shtrijmë edhe me vende të tjera”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

Ministri Xhafaj e ftoi Drejtoren e EUROPOL të vizitojë Tiranën, së bashku me një ekip ekspertësh, për të parë nga afër çfarë është bërë, për të pasur në këtë mënyrë një bashkëpunim edhe më efektiv në të ardhmen.

Nga ana e saj Drejtorja e EUROPOL, falënderoi ministrin për bashkëpunimin si dhe për vullnetin e shprehur për intensifikimin e bashkëpunimit me vendet e BE dhe EUROPOL.

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, u shpreh znj.De Bolle, është një çështje e interesit strategjik në këndvështrimin e sigurisë. Kjo gjë sipas saj, u konfirmua edhe në Samitin e fundit në Sofje.

“EUROPOL do të vazhdojë të kontribuojë në Ballkanin Perëndimor për çështje kyçe të sigurisë, dhe në këtë kontekst marrëdhëniet me Shqipërinë përbëjnë prioritet për ne. Shqipëria, për shkak edhe të pozicionit të saj gjeografik është një partner i rëndësishëm për ne, në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme. Ndaj edhe ajo zë një vend esencial në raportet dhe vlerësimet tona periodike”, u shpreh ajo.

EMISIONET