Në fjalimin përmbyllës të detyrës në Ministrinë e Brendshme, Fatmir Xhafaj pasi bëri analizën e punës deklaroi se vendimi për tu dorëhequr nga posti i tij nuk është i imponuar.

Xhafaj: Po largohem nga kjo detyrë, rrjedhojë e një vendimi të pa imponuar nga ndonjë rrethanë objektive, apo subjektive, por si një vendim i marrë besoj në kohën e duhur, pasi përmbusha, besoj, më së miri objektivat kryesore që i vura vetes në ditën kur vendosa ta pranoja dhe ri-pranoja këtë sfidë.

Objektiva dhe rezultate të përmbushura, për hir të së vërtetës me shumë sakrifica, për mua dhe familjen time, që në mënyrë të pamerituar është përballur dhe përbaltur nga sulme të egra të orkestruara nga opozita gjatë gjithë kësaj periudhe. Ndjehem mirë që në përballimin e kësaj situate specifike kam pasur mbështetjen e Kryeministrit, të kolegëve të grupit parlamentar dhe padyshim të bashkëpunëtorëve të mi të afërt.

Ministri në largim nuk la pa shigjetuar opozitën dhe organe të tjera ligjzbatuese në vend për përfshirjen e tyre në audiopërgjimin për vëllanë e tij Agron Xhafaj.

Xhafaj: Natyra dhe edukimi im familjar, eksperienca ime politike dhe ajo jetësore më ka bërë që deri në fund të qëndroj në respekt të ligjit dhe të jem sa më institucional dhe i përgjegjshëm në gjithë konfliktin politik, që opozita krijoi me mua dhe për mua. Duke përfshirë këtu edhe manipulimin komplet kriminal të bërë në çështjen e audio- përgjimit me një qëllim final: shantazhin ndaj meje në funksionin e ministrit. E për fat të keq në këtë orkestrim duket se janë përfshirë edhe segmente të disa agjencive ligj zbatuese vendase. Dua të nënvizoj edhe faktin se ky sulm jo vetëm ka në themel diletantizmin politik të opozitës, por ai edhe për këtë shkak, ka pas tij interesat e botës së krimit.

Në sitën e pakënaqësisë së Xhafaj ishte edhe edhe drejtimi i Ministrisë së Brendshme nga Saimir Tahiri, ku sipas tij vendi u kanabizua.

Xhafaj: Më besoni kjo nuk ka qenë një gjë e lehtë. Të rifitoje besimin e partnerëve, pas asaj goditje që Policia e Shtetit kishte marrë në fenomenin e kanabizimit.

Dorëheqja e Fatmir Xhafaj nga posti i Ministrit të Brendshëm u bë i ditur për publikun të shtunën e 27 tetorit nga një status në Twitter të kryeministrit Edi Rama.

/Ora News.tv/