Gjatë vizitës në Bruksel, ministri i Brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Zyra e shtypit e ministrisë së Brendshme informon se mnistri Fatmir Xhafaj u ndal te lufta antikanabis duke e vënë theksin tek qëndrueshmëria e rezultateve.

"Ministri nënvizoi se janë marrë që tani masat për 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë më në listën e vendeve ku kultivohet drogë. Një vend të rëndësishëm në bisedën mes palëve, zuri njohja me Planin e Veprimit, Operacioni “Forca e Ligjit”, duke u ndaluar në elementë të tij, çfarë përfaqëson dhe si do të zbatohet. Ministri pohoi se janë skanuar grupet kriminale dhe asetet e tyre. Ai veçoi ndihmën e ekspertëve të huaj të atashuar në Task Forcën Speciale. Zoti Xhafaj informoi Komisionerin për procesin e Vettingut që do të kryhet në Policinë e Shtetit."

Duke u ndaluar tek masat për frenimin e azilkërkimit të paligjshëm dhe migracionin e parregullt, ministri i Brendshëm shqiptar veçoi bashkëpunimin me Francën, si një shembull pozitiv për minimizimin e fenomenit.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit tha se shembulli i bashkëpunimit të palës shqiptare me Francën, duhet avancuar edhe me vendet e tjera europiane.

“Periudha në vijim është shumë deçizive për Shqipërinë”, u shpreh Komisioneri Hahn. Ai sugjeroi njohjen më të thellë të arritjeve të palës shqiptare, përmes medias së huaj, për të reduktuar efektet negative të stigmatizimit të padrejtë të vendit. 

/Ora News.tv/