Ministri i Brendshëm në largim, Fatmir Xhafaj, në fjalimin e lamtumirës etiketoi opozitën për sulmet ndaj policisë dhe veçanërisht atij, ndërsa shtoi se partnerët ndërkombëtar kanë 100% besim tek ai dhe policia e drejtuar prej tij.

Xhafaj: Për fat të keq llumi që opozita ka të vendosur në sytë e saj e ka penguar të shohë dhe të kuptojë, (edhe pse jam i sigurt që e di shumë mirë këtë) se mbështetja pa hezitim që partnerët tanë ndërkombëtarë në nivelin më të lartë të mundshëm politik dhe policor më kanë dhënë mua si ministër i Brendshëm dhe Policisë së Shtetit, lidhet vetëm me faktin se ne jemi 100 % të besueshëm për ta. Jemi të besueshëm në atë që jemi,  jemi të besueshëm në atë që themi dhe më shumë akoma, në atë që bëjmë.

Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe askush prej tyre nuk e ndërton mbështetjen për ne këtu, bazuar në skema apo pragmatizma ballkanik.

Partnerët tanë kanë parë me vepra, në mënyrë të përditshme dhe të qartë profilin e policisë që ne po ndërtojmë çdo ditë, me shumë këmbëngulje.

Policia shqiptare është për ta sot një partner jo vetëm i besueshëm, por edhe një partner serioz dhe profesional në angazhime të përbashkëta në luftën kundër krimit, veçanërisht atij të organizuar.

/Ora News.tv/