Audio-përgjimi dhe një prokuror shqiptar në Itali, Do pyetet Agron Xhafaj

Audio-përgjimi dhe një prokuror shqiptar në Itali, Do pyetet

Audio përgjimi ku pretendohet se është i përfshirë për trafik droge vëllai i ministrit të Brendshëm është dërguar me letërporosi në Itali.

Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se do të jetë shteti italian që do të përcaktojë laboratorin ku do të bëhet ekspertimi. 

Rreth tre tre javë më parë PD publikoi nje audio përgjim, ku shfaqej dëshmitari X, i njohur tashmë me emrin Albert Veliu duke folur me një person tjetër që PD pretendon se është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. 

Ministria e Drejtësisë Italiane do të zgjedhë laboratorin ku do të kryhet ekspertiza, e cila do të  çertifikojë autenticitetin e audiopërgjimit. Një nga prokurorët e kësaj çështje është nisur drejt Italisë, ku pritet të merret në pyetje Agron Xhafaj i cili u vetëdorëzua tek autoritetet italiane një ditë pas publikimit të audiopërgjimit. 

Dje nisi verifikimi pasuror

Ditën e djeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimin pasuror për vëllanë e ministrit të Brendshëm.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi prodecimin penal për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” pas publikimit të audiopërgjimit nga Partia Demokratike ku nga biseda e bërë publike midis dy personave, njëri i cilësuar si “Bashkëpunëtori X” dhe një personi tjetër i supozuar si shtetasi Agron Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj) është treguar se bashkëpunëtori është ndihmuar nga shtetasi Agron Xhafaj për të siguruar një sasi kanabisi për ta trafikuar.

Më 17 maj 2018 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda,ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni  283/a i Kodit Penal.

Ndërsa më datë 18.05.2018 me këtë procedim është bashkuar dhe procedimi penal Nr. 3853 i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë i regjistruar për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305  i Kodit Penal.

EMISIONET