Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka vazhduar të polemizojë me autoritetet malazeze, pas vendimit të Parlamentit të Malit të Zi, që në kuadër të KFOR-it në Kosovë, të dërgojë dy ushtarakë të saj, vendim ky që ka nxitur reagime në Serbi.

Vulin ka thënë se “Kosova nuk është shtet, por një territor nën administrimin e përkohshëm të OKB-së në përputhje me Rezolutën 1244”.

Ky reagim vjen pasi ministri malazez Predrag Boshkoviq, tha se Mali i Zi i bashkangjitet misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, dhe se Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Siç raportojnë mediat serbe, kjo deklaratë e ministrit malazez nuk i ka pëlqyer fare homologut të tij serb, i cili pretendon se Mali i Zi do të duhej ta pyeste Serbinë, nëse mund të dërgojë ushtarët e saj në Kosovë.

“Kur Mali i Zi dërgon oficerë të saj me mision në territorin e Serbisë, është rregull themelor që të na pyes neve”, tha ministri Vulin,.

“Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi më zëshëm se Shqipëria po përfaqëson pavarësinë e Kosovës. Më tepër do të respektonim dërgimin e ushtarëve malazezë në KFOR, sikur të dërgon  të paktën një ushtar në njësitë për ruajtjen e rendit dhe ruajtjen e manastireve,  në vend të dy oficerëve në shtabin e KFOR-it për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, pa ndonjë ndikim në sigurinë e serbëve”, ka thënë ministri Vulin, në një deklaratë me shkrim për mediat, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, ministri serb Aleksandar Vulin, vendimin e Malit të Zi për dërgimin e trupave ushtarale në Kosovë, e kishte cilësuar si tradhti ndaj Serbisë.

Ndërsa, ministri malazez tha të shtunën se ky vendim është marr për arsye pragmatike, me qëllim që të kontribuohet në sigurinë rajonale.

“Mali i Zi nuk ka tradhtuar për Kosovën, sepse Kosova nuk është pjesë e Malit të Zi, por tashmë është shtet i pavarur. Mali i Zi nuk e ka tradhtuar Serbinë, sepse Mali i Zi nuk është pjesë e Serbisë, që të mund ta tradhtojë  Serbinë”, kishte deklaruar Boshkoviq. 

/Ora News.tv/