Vuçiq e Thaçi takohen në Bruksel më 18 korrik

Vuçiq e Thaçi takohen në Bruksel më 18 korrik

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbahet javën e ardhshme me 18 korrik, ka konfirmuar zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, e cila lehtëson dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë takim pritet të diskutohen marrëveshjet e mëhershme Kosovë-Serbi, ato që nuk po zbatohen, si dhe hapat e tjerë drejt një marrëveshje përfundimtare, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogherinit. "Në këtë takim do të shqyrtohet progresi në marrëveshjet e arritura dhe do të planifikohen takimet e ardhshme, me synim që dy palët të vazhdojnë punën në ritëm të intensifikuar”, thuhet në njoftimin e zyrës së Moghernit.

Debatet në Prishtinë

Në Prishtinë ndërkohë, akoma po vazhdojnë debatet ndërmjet partive politike parlamentare nëse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet ta drejtojë dialogun me Serbinë apo jo.

Janë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe lëvizja Vetëvendosja të cilat në mënyrë kategorike e kundërshtojnë idenë e Presidentit për krijimin e një ekipi negociator gjithëpërfshirës, që do të kryesohej nga vet Presidenti Thaçi.

"Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë. Për LDK-në, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në një reagim të para një javë të LDK-së. Kjo parti kërkoi madje nga Kuvendi i Kosovës, që "urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”.

Përgjigja e Presidentit

Ndërkohë, në përgjigje të kësaj Presidenti Thaçi, tha se "politikat populiste po rrezikojnë që Kosova ta humbë momentin për arritjen e një marrëveshje me Serbinë”. "Kjo po rrezikohet nga politikat populiste që kanë qëllime elektorale. Askush nuk mund ta udhëheqë dialogun i vetëm, e as të vërë veto apo ta bllokojë procesin për të ecur përpara. Të gjithë liderët politikë duhet të marrin përgjegjësi në këtë proces të rëndësishëm dhe në të njëjtën kohë t'i ndajnë meritat”, u përgjigjet kritikave Thaçi.

Por, pavarësisht kritikave të opozitës dialogu me Serbinë nuk do ta ndalet, konfirmon Bekim Çollaku, këshilltari i parë i Presidentit të Kosovës. Ai thotë se "Kosova e ka ekipin e vet negociator dhe në takim do të shkohet para se të fillojë periudha e pushimeve verore për institucionet e Bashkimit Evropian, por edhe për ato të Kosovës”.

"Republika e Kosovës e ka ekipin negociator plotësisht funksional, i cili udhëhiqet nga Presidenti. Ekipi negociator përbëhet nga bartësit e institucioneve shtetërore, pra Presidenti, kryeparlamentari, kryeministri dhe liderët e partive politike parlamentare që janë pjesë e koalicionit qeverisës”, citojnë mediet lokale këshilltarin Çollaku.

Takimi i radhës dhe pretendimet e palëve

Takimi i fundit ndërmjet presidentëve Thaçi e Vuçiq, u zhvillua me 15 qershor në Bruksel. Të dy presidentët paralajmëruan kompromise por edhe vendime të vështira, detajet e të cilave nuk dihen. Por sa është i mundshëm në këto rrethana kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të arritur në një marrëveshje finale pajtimi, që më ngulm e kërkon Bashkimi Evropian, në mënyrë që të dyja vendet të mund të ecin drejt integrimeve evropiane. Blerim Burjani, analist politik i tha më herët DW-së, se synimet e palëve tashmë dihen, "Kosova synon ulëse në OKB dhe në fund njohje nga Serbia, ndërsa, kjo e fundit nëpërmjet Asociacionit të Komunave më shumicë Serbe kërkon hise brenda territorit të Kosovës”.

"Serbia e dëshiron një ndarje të butë, si një variant, ku serbët do të kenë trajtim si entitet juridik i veçantë, siç është përcaktuar edhe nga grupi i punës për hartimin e statutit të komunave me shumicë serbe. Në të, vetë serbet caktojnë në mënyrë të pavarur vullnetin e tyre statusor pa ndikim nga Prishtina. Nga ana tjetër, Kosova ka kërkuar që këtë statut ta kontrollojë dhe mbikëqyrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, edhe ashtu Serbia ka avantazh në këtë temë si propozues, pastaj i mbetet Kosovës të deklarohet për këtë e që politikanët e Kosovës kësaj teme i ikin politikisht duke ia dërguar Gjykatës Kushtetuese për ta hequr qafe debatin për "tradhti” dhe gjëra tjera. Pra, kompromisi me Serbinë në këto rrethana duket i pamundshëm”, thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, në takimin e 15 qershorit në Bruksel Thaçi dhe Vuçiq, u pajtuan që "të intensifikojnë punën në javët në vazhdim", në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë po e kërkon edhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që Serbisë ti hapet rruga për anëtarësim, ndërsa, Kosova të vazhdojë të njëjtën rrugë por fillimisht në përmbushjen e kritereve që dalin nga marrëveshja e stabilizim asocimit (MSA) e nënshkruar në tetor të vitit 2015 ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

/DW/


EMISIONET