Serbia ka apeluar Gjermaninë që të ndërhyjë për heqjen e tarifave doganore rrënuese që fqinji i saj jugor po aplikon ndaj vendit.

Pas një bisede telefonike me kancelaren Angela Merkel, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç theksoi të shtunën se masat maksimaliste të Prishtinës janë shkaku kryesor i ngërçit disamujor mes palëve.

Në shkëmbimin e gjatë dhe të cilësuar si miqësor mes dy shtetarëve, Vuçiç tha, megjithatë, se mbetet i përkushtuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

"Kompromisi do të siguronte stabilitet për rajonin dhe zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Por që ngërçi aktual të tejkalohet, Prishtina duhet të anulojë tarifat, në mënyrë që të mundësohet një qarkullim i lirë i prodhime serbe në Kosovë,"-tha Vuçiç.

Debatet për tarifat një ditë më parë dominuan edhe konferencën e përbashkët të organizuar me dy presidentët, Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

Ndërkaq, pas kthimit nga Berlini, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të premten se qeveria mund ta shfuqizojë përkohësisht masën fiskale, por në këmbim kërkoi zotimin paraprak të Serbisë për njohjen e vendit brenda kufijve territorialë aktualë.

Kjo temë por edhe të tjera pritet të marrin përgjigje teksa afron samiti i 1 korrikut në Paris.

Në fundjavë, kryediplomati serb Ivica Daçiç paralajmëroi se takimi do të anulohet nëse pala kosovare nuk bën lëshime në lidhje tarifat.

/Ora News.tv/