Për ato që konsiderohen tema të mëdha kombëtare në Serbi, si Kosova ose pranimi i gjenocidit, është vështirë të bëhet dallimi midis pushtetit, të personifikuar nga presidenti serb, Aleksancar Vuçiç, dhe opozitës, para së gjithash “Aleancës për Serbinë”, e cila si pjesëmarrëse në protestat qeveritare këtë dimër në Beograd, është bërë sfidantja më aktuale e regjimit.

“Mendoj se këto dallime janë shumë të vogla”, thotë Angjellija Mariq, studente e sociologjisë, e cila merr pjesë në protestat në Beograd, që mbahen çdo të shtunë nga 8 dhjetori.

“Udhëheqësit e opozitës kanë po ashtu qëndrime të djathta dhe shumë radikale. Aty është edhe Dveri, një organizatë klerike, që, edhe po të vinte në pushtet, nuk do të luftonte për ato që unë mendoj se do të duhej, përkatësisht të drejtat e punëtorëve dhe barazinë”, thotë Mariq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ajo që është vënë re kur është formuar “Aleanca për Serbinë” ka qenë qëndrimi edhe më i ashpër se i Vuçiqit për Kosovën. Vuçiq, të cilin mediat e huaja e përshkruajnë si “nacionalist të reformuar”, pajtohet për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, edhe pse kurrë nuk e ka qartësuar se çfarë nënkupton me këtë. Por, “Aleanca për Serbinë”, në anën tjetër, thotë se zgjidhja duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën e Serbisë, në preambulën e së cilës shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë. Në publik kjo është interpretuar në atë mënyrë që Vuçiç e mbështet zgjidhjen, ndërsa opozita status quo-në.

Në 30 pikat e programit të “Aleancës për Serbinë” nuk përmendet askund Bashkimi Evropian, edhe pse Serbia është në proces të hapjes së kapitujve negociues për anëtarësim në BE.

Vuçiç ndërkaq, në një forum të sigurisë në Beograd, të mbajtur në tetor, ka thënë se prania më e madhe e BE-së në Ballkanin Perëndimor është e domosdoshme, në mënyrë që BE “të mbetet ai lloj i ëndrrës, ajo dritë e demokracisë dhe lirisë, kah e cila synojmë”.

“Mua më duket se ‘Aleanca për Serbinë’ po përpiqet në mënyrë aktive që të mos përmendë tema që mund të provokojnë pakënaqësi serioze brenda vetë koalicionit”, thotë për Radion Evropa e Lirë filozofi serb, Ratisllav Diniç.

“Aleanca për Serbinë”, formimi i së cilës ka nisur pas zgjedhjeve në Beograd, të mbajtura në mars të vitit 2018, përbëhet nga nëntë parti dhe lëvizje, që ideologjikisht janë mjaft të ndryshme.

Në mesin e “Aleancës për Serbinë” – nismëtar për formimin e së cilës ka qenë Dragn Gjillas, ish-kryetar i Beogradit – ndodhet edhe Partia Demokratike e Serbisë, shtyllë e pushtetit pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, por edhe Partia Popullore e Vuk Jeremiqit, shef i diplomacisë në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, dhe Lëvizja Dveri, e cila konsiderohet si grup i ekstremit të djathtë, që kundërshton anëtarësimin e Serbisë në BE.

Në muajin nëntor, kur Kosova nuk ka marrë vota të mjaftueshme për t’u pranuar në organizatën ndërkombëtare të policisë Interpol, njëri nga udhëheqësit e “Aleancës për Serbinë”, Dragan Gjillas, u ka thënë gazetarëve në Kragujevc se të gjithë në Serbi janë të kënaqur me këtë vendim dhe se së paku rreth kësaj “mund të bëhet një lloj uniteti i pushtetit dhe opozitës”.

Në programin e “Aleancës për Serbinë” vihet re edhe zhvillimi i lidhjeve të posaçme me Republikën Sërpska, si dhe mbrojtja e qirilicës – gjëra që po ashtu nuk e dallojnë nga politika e pushtetit aktual.

Kur është në pyetje përballja me përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë viteve ’90 në hapësirën e ish-Jugosllavisë, qëndrimi i pushtetit dhe i Vuçiçit është se në Srebrenicë është kryer krim i rëndë dhe i madh, por jo gjenocid.

Pikërisht në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe të njerëzve të mbledhur sot në ”Aleancën për Serbinë”, më 2010, në Kuvendin e Serbisë është miratuar Deklarata për dënimin e krimit në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, në të cilën nuk përmendet fjala gjenocid.

“Dveri dhe Boshko Obradoviq (kryetari i Dverit) janë një parti ekstreme e djathtë dhe rreziku është se Dveri, pak a shumë, ka arritur të bëhet një lloj stimuluesi i veprimeve të opozitës. Ai përcakton se kush mund të flasë dhe kush jo”, thotë antropologu serb, Stefan Alleksiç.

Sipas tij, në Serbi, që 20 vjet, mbizotëron një politikë që e riprodhon sferën publike si një mekanizëm për mbrojtjen e kriminelëve të luftës në vitet ’90.

Alleksiç thotë se tek “Aleanca për Serbinë” nuk ka opozitë që mund të ofrojë një lloj alternative politike.

Vuçiç dhe Qeveria e tanishme e Serbisë lavdërohen kryesisht me treguesit ekonomikë, ndërsa në programin e “Aleancës për Serbinë” në mesin e synimeve numërohen ndalimi i privilegjeve për investitorët e huaj dhe miratimi i ligjit të ri të punës.

Derisa protestat vazhdojnë, Vuçiç ka thënë se nuk vepron nën presion dhe se kjo e dallon nga të gjithë të tjerët.

Protestat kanë filluar me sloganin “Stop bluzave të përgjakshme”, pasi njëri prej udhëheqësve të “Aleancës për Serbinë”, Borko Stefanoviç, është rrahur në Krushevc. Protestat kanë vazhduar edhe me parullën “Një nga pesë milionë”, si përgjigje ndaj deklaratës së Vuçiçit se mund të mblidhen pesë milionë njerëz, porse ai nuk do t’iu nënshtrohet presioneve nga rruga. Vuçiç ka thënë se mund të ofrojë vetëm zgjedhje. /REL/

/Ora News.tv/