"Far west" në Kavajë, vritet kalimtari me bukë në dorë, 5 plagosen

Një person rreth të 50-tave është vrarë në mesditë në qytetin e Kavajës pas një konflikti mes disa të rinjve, për gërvishtjen  e makinave.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe 5 persona, tre prej të cilëve ndodheshin në lokal, të cilët nuk kishin lidhje me autorët.

Viktima u vra me qese me bukë në dorë

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:30 në lagjen numër 2, ku viktima Ramazan Hasanlliu u qëllua nga plumbat teksa po kthehej në banesën e tij me një qese me bukë në dorë.

Dëshmitarët, por edhe policia thanë se viktima nuk ishte i përfshirë në konflikt, pasi ka qenë kalimtar në vendin e ngjarjes.

Në komunikatë policia sqaroi se autorët e vrasjes janë shtetasit Marjus Alia, tashmë i arrestuar në gjendje të plagosur në spital dhe Denis Alia në kërkim, të dy vëllezër mes tyre.

Si ndodhi vrasja?

Ata kanë qenë në një automjet në momentin kur janë përplasur me shtetasin Rustem Dedej, Elio dhe Erald Hykaj, të cilët ndodheshin në makinën tjetër. Plumbat e armës së Marjus Aliajt kanë goditur 50-vjeçarin, ndërsa të shtënat e palës tjetër kanë plagosur shtetasin Arben Hajdini, Sali Mekja dhe Rustem Berberi, të cilët ndodheshin në një lokal.

Pas njoftimit në vendin e përplasjes me armë kanë mbërritur efektivët e policisë, të cilët kanë nisur hetimet.

Sherri për gërvishtjen e makinës

Sipas dëshmive dhe provave të mbledhura pikënisja e konfliktit ka qenë fërkimi i automjeteve të dy palëve, vëllezërve Alia dhe tre personave të tjerë.

Pasi kanë prekur makinat, gjatë lëvizjes në lagjen numër 2 të dy palët kanë zbritur dhe janë konfliktuar verbalisht për disa minuta. Më pas ata kanë shkuar në banesat e tyre ku kanë marrë armët dhe janë rikthyer në vendin e ngjarjes një orë pas konfliktit të parë.

Përplasja ka vijuar për disa minuta dhe dy grupet në konflikt janë ndjekur me njëri-tjetrin nga zona ku ka mbetur i vrarë 50-vjeçari.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur 4 armë zjarri dhe ka bllokuar dy automjeteve që i përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar mes tyre.

Në foto: Buka që mbante në dorë viktima Ramazan Hasanliu

Në foto: Një nga autorët e dyshuar të ngjarjes

Në foto: Furra e bukës ku ndodhi vrasja






EMISIONET