Vota e emigrantëve, Xhafaj: Opozita të bëhet pjesë, mos i lëmë gjërat për në fund

Vota e emigrantëve, Xhafaj: Opozita të bëhet pjesë, mos i

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i ka bërë thirrje opozitës ti bashkohet procesit për garantimin e votimit të emigrantëve.

Duke  folur në tryezën e parë publike mbi këtë çështje, Xhafaj tha se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me votimin e emigrantëve do të duan rregullime të hollësishme ligjore për përcaktim procedurash, afatesh, organesh përgjegjëse, etj. 

Xhafaj: Sikurse jeni në dijeni, një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare në këtë mandat, është krijimi i një sistemi funksional adresash, për të përcaktuar saktësisht “Ku banon, kush?” Pjesë integrale mjaft e rëndësishme për identifikimin e të gjithë shtetasve shqiptarë është edhe regjistrimi i shtetasve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në funksion të këtij prioriteti, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 14/2016, datë 18.2.2016, “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Sipas dispozitave të këtij ligji, identifikimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet nëpërmjet vetë deklarimit on-line, ku barrën e verifikimit të adresës së vet deklaruar e ka marrë përsipër qeveria shqiptare, ndërsa vetë shtetasi ka për detyrë vetëm të plotësojë deklaratën on-line. Është shumë e rëndësishme në vlerësimin tim që opozita të kontribuojë së bashku me qeverinë edhe për këtë çështje. 

Sipas Xhafaj, nëse ditët kalojnë pa arritur ndonjë rezultat konkret në këtë aspekt, do të jetë gjithnjë edhe më vështirë, siç ka ndodhur jo rrallë në historinë e përpjekjeve për një reformë të arrirë zgjedhore, për të arritur në një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët dhe realisht të mundshme për t’u implementuar. 

Xhafaj: Sot teknologjia e informacionit, apo edhe sistemet e transmetimit dhe të dërgimit fizik të sendeve janë tërësisht eficente dhe sigurojnë garanci të plota. Bashkërisht me opozitën ne duhet që sa më shpejtë të vendosim mbi modelin që duam të zgjedhim për sistemin e votimit të emigrantëve. Qeveria, Kryeministri Rama personalisht ka garantuar se ka gjithë vullnetin që të punojë për të gjetur një zgjidhje e cila është funksionale, dhe garanton integritetin e procesit të votimit të emigrantëve. Në përfundim, duke falënderuar edhe njëherë organizatorët për këtë nismë, dëshiroj të shpreh gatishmërinë e Ministrisë së Brendshme për të ndërmarrë gjitha hapat e nevojshëm, në funksion të garantimit të një procesi të rregullt, transparent, të besueshëm dhe sipas standardeve më të mira në këtë fushë.

 

EMISIONET