Vorpsi: "Ti heqësh titullin e pronësisë sepse do t’ia japësh dikujt tjetër kjo nuk shkon"

Vorpsi: "Ti heqësh titullin e pronësisë sepse do t’ia

Pezullimi i përkohshëm i dhënies së çertifikatave të pronësisë për ata që përfituan tokë nga ligji 7501 dhe ai i ndarjes së tokave të ish- ndërmarrjeve bujqësore, është një vendim që i heq të drejtën e pronësisë pronarëve dhe ia jep këtë të drejtë investitorëve.

Shqetësimi ngrihet nga kryetari i Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, i cili thotë, se nga vendimi preken 26 mijë pronarë, që kanë përfituar apo prisnin të përfitonin nga kthimi i pronave.

Myrshit Vorpsi, kryetari i Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”: Këtu preken të gjithë pronarët e atyre 26 mijë vendimeve, të cilët duhet të kompensoheshin qoftë edhe fizikisht nga shteti.Qëllimi është i mirë, por mjeti që kanë gjetur është i gabuar. Ti heqësh titullin e pronësisë sepse do t’ia japësh dikujt tjetër kjo nuk shkon. Po digjen të gjithë ata posedues të titujve të pronësisë, pavarësisht sesi i kanë përfituar, si dhe ata që janë në kërkim të një prone aty.

Sipas Vorpsit, Pronarët e vërtetë mund të kompensohen, por me prona që janë në zona pa perspektivë zhvillimi, që tashmë janë përcaktuar nga Qeveria.

Myrshit Vorpsi, kryetari i Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”: Pronarët e vërtetë ngelen për të shkuar dhe përfituar në 23 mijë parcelat e tokës që janë në malësitë e Gramshit, Skraparit, Elbasanit, Korçës, fshatra që edhe po të shkosh atje njerëzit do pyesin: Ku bie ky fshat?

Pezullimin, Vorpsi e konsideron si një vendim që bëhet për interesa elektorale, ku kryetarët e bashkive kanë fuqi t’i japin prona personave që nuk kanë përfituar nga ligji 7501.

Myrshit Vorpsi, kryetari i Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”: Një ligj që është i shfuqizuar, që e nxorëm nga dera, qeveria për interesa elektorale e futi nga penxherja. Kjo, pasi i dha të drejtë kryetarëve të bashkive, që të furnizojnë me tokë persona që për një arsye apo tjetër nuk kanë përfituar nga zbatimi i ligjit 7501.

Vendimi për pezullimin e përkohshëm u mor në mbledhjen e fundit të Këhsillit të Ministrave dhe do të prekë zonat me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike. Pezullimi prek kryesisht zonat bregdetare ku do të nisë verifikimi i rreth 30 mijë parcelave.

Bashkitë që preken janë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol.

Harta e tokave që do të preken është e parashikuar dhe në Gjeoportalin Kombëtar ku dhe janë të parashikuar nismat për investime.

EMISIONET