Konkurrenca dhe konfliktet në biznes janë dy nga pistat mbi të cilat policia e Vlorës po heton shpërthimin e tritolit në fasonerinë e një biznesmeni egjiptian. Një person është shoqëruar pas ngjarjes por ende nuk konfirmohet nëse ai është autori. Shpërthimi u ndodhi gjatë natës dhe për pasojë pati vetëm dëme materiale.

Ambientet e një kompanie fasone në pronësi të një biznesmeni egjiptian u sulmua pas mesnate me eksploziv në Vlorë.

Shpërthimi ka qenë i fortë dhe ka shkaktuar frikë e panik mes banorëve të lagjes "24 Maji"

Blutë thanë se lënda plasëse, që sipas burimeve ishte rreth 150 gram eksploziv ishte vendosur në një kompresor jashtë ambienteve të rrobaqepësisë.

Për pasojë ka pasur dëme materiale, por jo të plagosur, kjo edhe për shkak të orës së vonë kur ndodhi ngjarja.

Burimet thonë se në kohën e shpërthimit dy persona janë parë të largohen me shpejtësi nga zona. 

Policia ka arritur të ndalojë njërin prej tyre, i cili po merret në pyetje por ende nuk ka konfirmim nëse ata janë autorë të ngjarjes.

Konkurrenca ose konfliktet në biznes janë pistat kryesore mbi të cilën janë përqendruar hetimet e policisë.

Në funksion të zbardhjes së ngjarjes, pritet të merret në pyetje edhe vetë biznesmeni egjiptian i cili mësohet se operon prej vitesh në vendin tonë.



/Ora News.tv/