Vlorë, Rama: Rrisim kapacitetet për shkollat e tjera profesionale në vend

Vlorë, Rama: Rrisim kapacitetet për shkollat e tjera profesionale

Arsimi profesional cdo ditë e më shumë po shihet si një mundësi për punësim real. Nga Vlora, ku vizitoi ambientet e shkollës profesionale “Pavarësia”, kreu i qeverisë tha se bashkëpunimi me ndërmarrjet dhe futja e tyre në shkolla, është çelësi i ndryshimit, që do të sjellë më shumë kerkësa për profesionistët. Edhe në shkollat e tjera në vend, po mendohet shtimi i kapaciteteve për shkak të kërkesës së tregut.

Gjatë një vizitë në shkollën profesionale “Pavarësia” në Vlorë, kryeministri Edi Rama tha se bashkëpunimi me ndërmarrje apo biznesë të ndryshme do të ofrojë punësim real për nxënësit që kryejnë arsimin profesional.

Ashtu si në shkollën “Pavarësia” që vlerësohet si model, Rama theksoi se po punohet  edhe në qytete të tjera për shtimin e kapaciteteve në shkollat profesionale.

Rama: “Sistemi i bashkëpunimit me ndërmarrjet, i futjes së ndërmarrjeve në shkolla dhe i lidhjes së nxënësve me vendin e mundshëm të punës në ndërmarrje, është çelësi i gjithë ndryshimit. Tani problemi është të rrisim kapacitetin, edhe këtu, por dhe në gjithë qytetet e tjera. Do ketë gjithmonë e më shumë kërkesa, sepse kanë filluar ta kuptojnë që kjo fushë do të ketë punësim real për shumë njerëz dhe prindërit sidomos kanë filluar të bëhen shumë të ndjeshëm. Plus që të kemi mundësi të rrisim kapacitetin për trajnime të atyre që janë në mosha jashtë shkollore dhe që faktikisht shumë herë nuk dinë të bëjnë gjë, pavarësisht se kanë dëshirë për punë dhe refuzohen nga ndërmarrjet.” 

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli u shpreh se shumë nga nxënësit e shkollës janë vlerësuar me certifikata nga bashkia për punët e tyre, duke vendosur kështu një bashkëpunim të ri mes institucioneve.

Shkolla profesionale Industriale “Pavarësia”, në Vlorë, numëron këtë vit shkollor 700 nxënës, ose dyfish më shumë, krahasuar me 4 vite më parë, në profilet Elektroteknikë, Mekanikë, Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Termohidraulikë. Gjithashtu, ajo iu ofron nxënësve të saj mundësinë për të zhvilluar praktikat profesionale në biznese të rëndësishme.

EMISIONET