Gomonia që do trafikonte drogë nga Vlora drejt Italisë zhduket në det

Gomonia që do trafikonte drogë nga Vlora drejt Italisë zhduket

Një gomone e dyshuar se do të trafikonte lëndë narkotike nga gadishulli i Karaburunit në Vlorë në drejtim të Italisë është pikasur në det rreth orës 13:50 minuta të ditës së sotme dhe pavarësisht ndjekjes së gjatë ku janë përfshirë edhe helikopterë nuk është bërë e mundur gjetja e saj.

Policia e Shtetit sqaron se gomonia dyshohet të jetë fshehur në ndonjë gji detar midis Malit të Zi dhe Kroacisë, ndërsa në bordin e saj janë pikasur tre persona si dhe bidona plastikë, ndërsa pjesa tjetër është bosh.

"Nga pamjet filmike të realizuara nga helikopteri i FA në bordin e gomones dallohen tre persona dhe disa bidona plastikë, ndërsa pjesa tjetër e bordit ishte bosh. Dyshohet se gomonia do merrte lëndën narkotike në Sazan me qëllim trafikimin në drejtim të Italisë", sqaron policia.

Nga krehja e zonës në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur "Bristan", midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako.

Ndjekja- Me t'u pikasur gomonia, tre mjete lundruese të Policisë Kufitare dhe Delta Forcë janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues, ndërsa është kërkuar edhe ndihma e anijes "Oriku" si dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura.

Gjithashtu është njoftuar GdF Durrës e Vlorë si dhe homologët Italianë.

Menjëherë është ngritur në fluturim një helikopter "COUGAR" i FA-së, i cili ka ndjekur në ujërat neutrale për rreth 1 orë gomonen që lëvizte me shpejtësi duke bërë manovra në det me qëllim t'i shmangej ndjekjes së helikopterit.

Nga deti vijonte ndjekja nga anija "Oriku" dhe tre mjete lundrues të Policisë Kufitare dhe Delta Forcë. Në veprim është futur menjëherë edhe GdF-ja në Shqipëri e Itali.

"Deri tani nuk është bërë e mundur kapja e gomones, pasi dyshohet se është fshehur në ndonjë gji bregdetar, në ujërat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë,  por vijon kërkimi nga ajri nga GdF", sqaron policia.

Gjithashtu është vënë në ndjekje edhe policia malazeze.

Policia Kufitare, Delta Forcë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë po vijojnë kontrollet në zonë.

EMISIONET